Lidhje

Parlamenti diskuton sot 6 Kode që duan 84 vota pozitë - opozitë


Parlamenti diskuton sot 6 Kode që duan 84 vota pozitë - opozitë

Parlamenti diskuton sot 6 Kode që duan 84 vota pozitë - opozitë

Ne Tirane parlamenti pritet te diskutoje sot ndryshimet ne 6 Kode, të cilat duhen miratuar me 84 vota, ose me tre te pestat e votave te deputeteve. Ndryshimet perfshijne Kodin Penal, Kodin Civil dhe Kode te tjera, por ato nuk mund te miratohen pa votat e opozites. Kjo eshte aresyeja qe analistet e shohin edhe si nje sprove per angazhimet e opozites socialiste ne procesin e integrimit europian.

Parlamenti shqiptar pritet të shqyrtojë sot 6 Kode, për miratimin e të cilëve nevojiten 84 vota, ose siç njihet 3/5 e votave të deputetëve. Rendi i ditës në seancën e paradites përmban disa shtesa dhe ndryshime nenesh në Kodin Civil të vitit 1994, në Kodin Penal të vitit 1995, në Kodin Rrugor të vitit 1998, në Kodin Detar të vitit 2004, në Kodin Hekurudhor po të vitit 2004 dhe në Kodin Ajror të vitit 2008 në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet nuk mund të miratohen pa bashkimin e votave të opozitës me shumicën parlamentare.

Për amendametet në Kodin Penal janë ndërmarrë 4 nisma legjislative, për Kodin Detar janë ndërmarrë 2 nisma legjislative, për Kodin Rrugor 3 nisma, ndërsa për Kodin Civil, Hekurudhor dhe Ajror janë propozuar shtesa dhe ndryshime për aktualizimin e tyre me kërkesat ndërkombëtare të kohës. Në seancën e sotme pritet të raportojnë pothuaj të gjithë komisionet parlamentare që shqyrtuan projekt-ligjet; komisioni i ligjeve dhe të drejtave njerëzore, komisioni për sigurinë kombëtare, komisioni për integrimin europian, si edhe komisioni për tregtinë dhe mjedisin.

Në rendin e ditës janë edhe disa ligje po aq të rëndësishme mbi transmetimet radio-televizive, për menaxhimin e mbetjeve urbane, dhe për prodhimet bujqësore, si edhe në fund dy interpelanca me ministrat e shëndetësisë dhe teknologjisë. Por prova e vërtetë e parlamentit janë miratimi ose jo i 6 Kodeve që kanë nevojë për 84 vota.

Seanca e sotme plenare shihet nga analistët vendas edhe si një provë për opozitën socialiste, e cila deklaroi se do të kthehej në parlament në shtator dhe do të bashkëpunonte për reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi në fillim të kësaj jave para grupit parlamentar se opozita nuk do ta ngrejë kartonin jeshil formalisht, vetëm që maxhoranca të kryejë disa arnime të ligjeve të mëparshme. Partia Socialiste hodhi idenë që projekt-ligjet e vonuara nëpër komisione për shumë muaj të kthehen prapa dhe të ripunohen nga e para.

Por shumica e djathtë e ka hedhur poshtë këtë propozim, duke theksuar se projekt-ligjet dhe amendamentet janë shumë profesionale, të konsultuar nga profesionistë të SHBA dhe BE-së dhe se ato janë vonuar vetëm për shkak të bojkotit dyvjeçar të socialistëve në parlament. Partia Demokratike deklaroi se ideja e Partisë Socialiste është e papranueshme; pra që të hidhet poshtë puna e deritanishme vetëm se opozita mungoi në parlament muaj e vite të tëra. Demokratët pohuan, që nëse socialistët nuk votojnë ligjet me 3 të pestat e votave, ky do të jetë një bojkot i ri i parlamentit prej tyre dhe tërheqje pas e premtimeve të tyre për bashkëpunim parlament në dobi të integrimit europian.

XS
SM
MD
LG