Lidhje

PD dhe PS, koalicionet drejt përmbylljes


Bode, kemi firmosur me 25 parti. Socialistët arrijnë marrëveshjen dhe me PBDNJ. Mbi 40 parti në koalicionin e së majtës

Në Shqipëri dy partitë më të medha të vendit, ajo demokratike në pushtet dhe partia socialiste në opozitë janë duke mbyllur marrëveshjet parazgjedhore për krjimin e koalicioneve me të cilat ato do të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit. Demokratët kanë pritur sot në selinë e tyre disa kryetar partish të djathta duke mbyllur marrëveshjet me 25 forca politike. Socialistët nga ana e tyre ranë sot dakort për të vazhduar bashkëpunimin me partinë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, ndërsa kanë arritur marrëveshje me mbi 40 forca të tjera politike.





Ndërsa kanë mbetur pak më shumë se 24 orë nga mbyllja e afatit të paraqitjes së koalicioneve, lëvizjet në të dy kampet kryesore politike janë të ethshme. Sistemi proporcional rajonal që zbatohet në Shqipëri favorizon aleancat e gjera, duke qenë se edhe një grusht votash mund të rezultojnë të arta për një mandat deputeti. Eksperienca e zgjedhjeve të 2009 e dëshmoi një gjë të tillë. Socialistët duket se kanë nxjerrë mësime dhe janë angazhuar për të mbledhur rreth tyre një numër sa më të madh të mundshëm forcazh politike. Deri më tani kanë firmosur me 43 parti e bashkë me aleatët e tyre tradicional, numri pritet të shkojë në 48, duke përfshirë këtu edhe një marrëveshje të mundshme me Aleancën Kuqezi.

Ndërsa sot iu dha fund dilemave të përfshirjes së partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, marrëdhëniet me të cilën gjatë këtyre 4 viteve në opozitë kanë qenë me shumë ulje ngritje. “Bashkëpunimi ynë nuk është një bashkëpunim që ka filluar rishtazi, është një bashkëpunim prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurt. E njohim mirë njëri tjetrin si forca politike, njohim mirë pikat që na bashkojnë, sikurse edhe vështirësitë që mund të kemi pasur në të shkuarën. Ky bashkëpunim besojmë se do të ketë kontributin e vet sado të vogël edhe nga ana jonë, në arritjen e këtij objektivi madhor”, tha kryetari I PBDNJ-s Vangjel Dule. “Faleminderit, zgjerimi i koalicionit vazhdon”, u shpreh nga ana e tij kryetari socialist Edi Rama.

Pas mbledhjes së kryesisë së shtunën në mbrëmje edhe partia demokratike është duke mbyllur marrvëshjet për koalicionin e saj. Sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode është mandatuar për të zhvilluar bisedimet me partnerët:“Janë duke u kryer bisedimet me të gjitha partitë që janë ofruar në spektrin e qendrës, qendrës së djathtë dhe të djathta dhe që po i bashkangjiten koalicionit për zgjedhjet e 23 qershorit. Janë 25 parti me të cilat kanë përfunduar bisedimet dhe do të vijohet edhe pasdite dhe ditën e nesërme paradite, për të përfunduar bisedimet me të gjitha partitë që I afrohen këtij bashkëpunimi. PD mbetet e hapur për të përfshirë në këtë koalicion tepër të gjerë, të gjitha partitë e qendrës, qendrës së djathtë dhe të djathta që kanë shprehur vullnetin, për të patur një koalicion unik në zgjedhje”.

Ky qëndrim i shprehur edhe nga kryeministri Sali Berisha të shtunën është interpretuar si hapja e një dritareje për partinë Fryme e re demokratike e ish presidentit Bamir Topi. Ky i fundit nuk dha sot detaje mbi qëndrimin që do të mbajë kjo parti, ndërsa një ditë më parë kishte folur edhe për mundësinë e daljes të vetëm në zgjedhje.
XS
SM
MD
LG