Lidhje

Përkujtohet presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova


Përkujtohet presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova
Përkujtohet presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova

Në Kosovë sot u shënua gjashtë vjetori i ndarjes nga jeta të Presidentit të parë të vendit, Ibrahim Rugova. Udhëheqësit politik dhe institucional të Kosovës nderuan figurën e presidentit të ndjerë duke kujtuar njëherësh kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës. Ata bënë homazhe tek varri i presidentit Rugova, ndërsa gjatë ditës janë mbajtur manifestime të ndryshme ku është përkujtuar e vlerësuar roli i tij në procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Në një akademi përkujtimore e cila u mbajt nën përkujdesjen e saj, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se Ibrahim Rugova është njëra nga figurat më të rëndësishme shqiptare të fundshekullit njëzet.

“Përkujtimi i veprës kolosale të Presidentit Ibrahim Rugova na bënë nder të gjithëve sepse kujtojmë liderin historik të Kosovës, i cili në kohët më të vështira morri vendime të rëndësishme që i përcaktuan kahet e historisë dhe përcaktuan edhe fatin tonë si popull në rrugëtimin drejt ndërtimit të Kosovës shtet të lirë dhe të pavarur, me miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha presidentja Jahjaga.

Nderime tek varri i presidentit bëri edhe kryeministri Hashim Thaçi.

“Sot jemi këtu për të bërë nderime shtetërore për presidentin Rugova, për të bërë vlerësimin dhe nderimin më të lart shtetëror për jetën, veprën, personalitetin dhe kontributin e presidentit Rugova për Kosovën e lirë, të pavarur, për perspektivën e Kosovës evropiane”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa tha në një manifestim të veçantë të kësaj partie se Kosova moderne identifikohet me emrin e Ibrahim Rugovës, të cilit Kosova i dha lamtumirën e fundit, gjashtë vjet më parë.

“I ndrojtur nga një humanizëm i rrallë, i pajisur me dije më moderne filozofike e teorike, njohës i shkëlqyer i historisë, i traditave dhe etno-kulturave shqiptare doktor Ibrahim Rugova hyri në politikë për tu bërë shpejt përfaqësuesi dhe emblema e vendit të tij”, tha zoti Mustafa.

Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit të ndjerë, Sabri Hamti, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se presidenti Rugova ishte ndër rastet e rralla kur një krijues bëhet prijësi shpirtëror e shtetëror.

“Më është dukur që në botën e viteve të fundit, deceniet e fundit e ka edhe një shok, ai është Vaclav Havel, për shkak se dalin nga tipi i kërkuesit të kreatorit të madh dhe bëhen prijës politik dhe shtetëror. Mund të them që Havel e kishte shumë më lehtë sepse kishte shtet dhe donte liri, kurse Rugova donte në të njëjtën kohë edhe shtet edhe liri”, tha zoti Hamiti.

I doktoruar në fushën e letërsisë, dr. Ibrahim Rugova, ishte presidenti i parë i Kosovës dhe udhëheqësi 16 vjeçar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

XS
SM
MD
LG