Lidhje

AI: Peshmerga, shkatërrim dhe krime në Irakun verior


Organizata Amnesty International akuzon kurdët e Irakut se kanë shkatërruar qëllimisht mijëra banesa të arabëve në Irakun verior, në akte siç duket hakmarrëse, pasi i konsiderojnë arabët si përkrahës të Shtetit Islamik.

Në një raport të ri të cilësuar “Të Dëbuar dhe të Plaçkitur” Amnesty International thotë se forcat Peshmerga kanë kryer shkatërrime në masë në provincat Ninevah, Kirkuk dhe Diyala gjatë vitit të kaluar, në fushatën për të rimarrë territore nga ISIS. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, trupat kurde kanë sheshuar me buldozerë, kanë djegur ose hedhur në erë shtëpi të arabëve dhe nuk kanë lejuar banorët të kthehen në fshatrat e tyre.

Donatella Rovera, e cila drejtoi punën e Amnesty International për të mbledhur prova në Irakun verior, tha se “zhvendosja me forcë e civilëve dhe shkatërrimi i qëllimtë i banesave dhe zotërimeve pa justifikim ushtarak mund të përmbushin kritiret e krimeve të luftës”.

Koloneli i ushtrisë amerikane Steve Warren, zëdhënës i koaciolit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, tha se do t’i merrte shumë seriozisht akuzat e ngritura nga Amnesty International.

Në përgjigje të raportit, , Dindar Zebari, zëdhënës i rajonit kurd të Irakut tha se “nuk ekziston një strategji e planifikuar” për shkatërrimin e fshatrave. Ai tha se forcat Peshmerga “kanë vepruar në përputhje të plotë me standardet dhe parimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

XS
SM
MD
LG