Lidhje

Pesimizëm në Spanjë për papunësinë


Qeveria spanjolle thotë se numri i njerëzve të papunë u rrit në gusht për herë të parë në pesë muajt e fundit. Qeveria thotë se ritmi i rritjes për papunësinë duket se është ngadalësuar, por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Caroline Arbour, ky fakt nuk i qetëson mbi 4.6 milionë të papunët e vendit.

Në zyrën rajonale të punësimit dhe ndihmës sociale në Sevilje, punëtorët që kanë humbur vendet e punës rrinë në radhë për ndihmë. Të rinj, në moshë, punëtorë, profesionistë me kostume, nuk ka ndonjë profil të vecantë, megjithëse papunësia është më e përhapur mes atyre që janë 25 vjec, rreth 50 për qind e tyre.

Në paradhomën e zyrës, 28 vjecari Juan Rodriguez dhe e dashura e tij 20 vjecare Sarah Dagnall presin për ndihmë. Ai ka punuar më pare në shkenca kompjuterike dhe ndërtim faqesh internet. Herë pas here ka punuar ku ka mundur si elektricist, hidraulik, dhe instalues ashensorësh por që prej gjashtë vjetësh nuk ka gjetur një punë të qëndrueshme.

Ndërsa Sarah, e humbi punën në një shkollë të gjuhës angleze dhe është shtatë muajshe shtatzënë.

Ata largohen nga zyra të lehtësuar por njëkohësisht të shqetësuar.

“Erdha këtu dhe prej gjashtë muajsh më kanë dhënë ndihmë nga 426 Euro në muaj. Më parë kemi mbijetuar edhe me më pak para. Por nuk e di se si do t’ia bëjmë kur të lindë djali”.

Ata e dinë se 546 dollarë në muaj nuk janë të mjaftueshme për tre vetë, por Juan nuk është shumë optimist për të ardhmen.

Ai thotë se pronarët e bizneseve punësojnë vetëm të afërmit dhe miqtë.

Në fakt, në Spanjë, miqësitë janë shumë të rëndësishme – shumë më tepër se në Amerikë. Edhe thjesht të gjesh një punë si kamerier, apo shitës për të përballuar jetesën, ndërsa studion për një karrierë, mund të jetë e vështirë pa lidhjet e duhura, meqenëse shumë biznese janë familjare.

Drejtori i zyrës së papunësisë së zones Alfonso Agudo thotë se për momentin shpresat për të gjetur punë janë të pakta.

Disa kualifikohen për ndihmë sociale që mund të arrijnë deri në 1 mijë e 800 dollarë në muaj për një familje me dy ose më shumë fëmijë por të tjerë nuk kualifikohen pasi kanë mbetur pa punë pas një kontrate afatshkurtër dhe nuk kanë grumbulluar orë pune të mjaftueshme.

Pothuajse një e katërta e spanjollëve punojnë me kontrata të përhershme.

Agudo thotë se sheh shumë raste të dëshpëruara.

Psikologia Joana Marin Fuste shpjegon se shumë nga pacientët e saj shfaqin simptoma apatie, një ndjenjë pafuqie me një bindje që gjendja është e keqe dhe nuk do të përmirësohet shpejt.

Ajo shton se pasojat e këtyre ndjenjave manifestohen në mënyrë fizike, si për shembull pagjumësia.

Dr. Marin këshillon pacientët të mos shikojnë apo lexojnë lajme. Dhe ajo thotë se do të kishte qenë mire që media të përqendrohej here pas here tek lajmet positive, apo të paktën ta vinte në kontekst gjendjen e keqe që të mos ta fashisnin krejtësisht shpirtin luftarak të spanjollëve.

Sarah dhe Julian tani jetojnë me nënën e tij. Ata do të vazhdojnë ta marrin ndihmën sociale prej 546 dollarësh për 21 muaj pasi të lindë fëmija.

Po më pas?

“Nuk e dime. Shpresojmë që Juan të gjejë një punë dhe nëse jo, do të bëjmë si të bëjmë”.
XS
SM
MD
LG