Lidhje

Notari Michael Phelps synon fitore të reja olimpike


Notari amerikan Michael Phelps hyri në histori me Lojrat Olimpike 2008 të Pekinit, duke u bërë atleti i parë me tetë medalje të arta të fituara gjatë një turneu olimpik. Michael Phelps tani është i përqëndruar në Lojrat Olimpike të Londrës duke shpresuar që të marrë edhe më shumë medalje.

Michael Phelps u bë për herë të parë pjesëtar i skuadrës olimpike të notit të SHBA-së në moshën 15 vjeçare, në vitin 2000. Atë vit, në Lojërat e Sidneit, ai arriti në garën finale të 200 metrave, në stilin delfin, dhe zuri vendin e pestë. Katër vjet më vonë, Michael Phelps fitoi gjashtë medalje ari dhe dy bronzi në Lojrat e Athinës. Pas paraqitjes së shkëlqyer të tij në dy Olimpiadat e fundit, ai ka fituar 14 medalje të arta dhe 16 gjithsej.

Atletja që mban rekordin e të gjitha kohërave për më shumë medalje të fituara, me 18 medalje gjithsej, është gjimnastja e ish Bashkimit Sovjetik Larisa Latynina, e cila përfundoi karrierën e saj olimpike në vitin 1964. Michael Phelps e takoi atë kohët e fundit në një set fotografik, në Nju Jork, dhe tha se për të ishte një nder.
Notari Phelps thotë se ai ka objektiva personale që dëshiron të arrijë këtë herë, dhe se vetëm ai dhe trajneri i tij prej një kohe të gjatë Bob Bowman e dinë se cilat janë ato.

"Kemi punuar së bashku për një kohë të gjatë dhe kjo ka qenë gjithmonë mënyra se si kemi vepruar. Ne kurrë nuk kemi bërë publike objektivat tona."

Por sigurisht që objektivi i parë është pjesëmarrja në ekipin olimpik amerikan të notit për herë të katërt. Provat kombëtare kualifikuese për Lojërat e Londrës do të zhvillohen në Omaha, Nebraska, në fund të qershorit, kohë gjatë të cilës (30 qershor) Michael Phelps do të mbushë 27 vjeç. Ai thotë se do të marrë pjesë në garat që do të japin atij mundësinë më të mirë për sukses. Notari 1,93 metra i gjatë tha kohët e fundit, gjatë një konference për shtyp në Dallas, se ai nuk ka në plan të notojë në tetë gara, siç bëri në Pekin.

"Unë e di që nuk do të fitoj përsëri tetë medalje ari apo tetë medalje në përgjithësi. Nëse ju doni të më krahasoni me atë paraqitje, ai është vendimi juaj. Unë jam duke shkuar atje që të përpiqem të arrij gjërat që kam në mendjen dhe në zemrën time. Nëse mund ta realizoj një gjë të tillë, dhe mund të argëtohem, do të ishtë me të vërtetë diçka mjaft e mirë për mua."

Në vitin 2009, Michael Phelps pati probleme, kur një gazetë tabloide britanike, News of the World, botoi një foto të tij ku mendohej se ai ishte duke pirë marihuanë. Federata amerikane e notit e pezulloi notarin për tre muaj. Ai e quajti atë një përvojë rritjeje dhe mësimesh.

Michael Phelps e pranon se trajnimi dhe paraqitjet e tij vitet e fundit nuk kanë qenë gjithmonë në përputhje me standardet e tij të larta. Ai thotë se thjesht nuk kishte dëshirë të mjaftueshme për t’u stërvitur aq sa duhej, por shton se tani atij i është rikthyer pasioni.

Kundërshtari kryesor i Phelps-it duket të jetë shoku i skuadrës, amerikani Ryan Lochte, i cili e mundi atë dy herë në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar. Michael Phelps thotë se humbja e motivon atë. Ai është i motivuar gjithashtu edhe nga mundësia për të thyer rekordin me 18 medalje olimpike të Larisa Latyninës. Ai mësoi mbi rekordin e saj, vetëm pak muaj më parë, kur dikush i foli për të.

"Është interesante që të kesh mundësinë të rishkruash historinë ose që unë të arrij t’i bashkohem disa prej emrave më të mëdhenj, në historinë e Lojërave Olimpike."

Phelps thotë se gjatë gjithë karrierës së tij ai ka mbajtur një ditar. Ai shpreson që në të të përfshihen edhe disa medalje të arta në Olimpiadën e Londrës. Michael Phelps ka thënë se nuk ka në plan të konkurrojë në Olimpiadën 2016 në Rio de Janeiro, edhe pse nëna e tij do të donte që ai ta bënte një gjë të tillë. Ai thotë se ai do të jetë i kënaqur të shkojë atje me të dhe të ndjekë konkurrimin e të tjerëve.
XS
SM
MD
LG