Lidhje

Planet e Presidentit Obama për shkurtimin e deficitit buxhetor


Planet e Presidentit Obama për shkurtimin e deficitit buxhetor
Planet e Presidentit Obama për shkurtimin e deficitit buxhetor

Presidenti Barak Obama paraqiti planet e tij për shkurtimin e deficitit të madh buxhetor të vendit, që synon t’i shkurtojë shpenzimet me 4 trilionë dollarë gjatë 12 vjetëve të ardhshëm.

Planin e tij ekonomik presidenti e bëri të ditur gjatë një fjalimi në universitetin George Washington, këtu në Uashington.

Deficiti buxhetor i Shteteve të Bashkuara aktualisht është 14 trilionë dollarë.

Plani i presidentit synon shkurtimin e shpenzimeve qeveritare dhe reformimin e sistemit të kushtueshëm shëndetësor për të moshuarit, të varfërit dhe pensionistët. Po ashtu ai propozoi ngritjen e taksave për familjet që kanë të ardhura mbi 250 mijë dollarë në vit.

Pas takimit me presidentin Obama, para se ai të mbante fjalimin, ligjvenës republikanë ritheksuan kundërshtimin e tyre ndaj ngritjes së taksave.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvenësi republikan Xhon Bejnër, tha se në se Republikanët dhe Demokratët do të arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të hartojnë një plan ekonomik thelbësor, ngritja e taksave nuk duhet të jetë pjesë e planit. Më parë zoti Bejnër kishte thënë se propozimet për rritje taksash janë të papranueshme dhe nuk mund të jenë pjesë e negociatave për buxhetin.

Republikanët kanë ofruar idetë e tyre për shkurtimin e deficitit dhe kanë paraqitur një plan që i shkurton më thellë shpenzimet qeveritare. Shtëpia e Bardhë thotë se plani republikan dëmton padrejtësisht klasën e mesme.

Nga ana tjetër, republikanët, që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve thonë se presidenti duhet të bjerë dakort për shkurtime të mëdha afat-gjata buxhetore, para se ata të miratojnë ngritjen e tavanit të borxhit qeveritar, një masë e domosdoshme, pasi limiti i tanishëm skadon pas disa javësh.

Reagimi i republikanëve ndaj planeve për buxhetin

Ligjvënësit republikanë nuk pranojnë propozimet e presidentit për ngritjen e taksave për korporatat dhe për amerikanët e pasur. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Siindi Shejn na informon nga Kongresi.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër thotë se çdo propozimi i Presidentit Obama për ngritjen e taksave është i paranueshëm për të qënë pjesë e negociatave. Ai foli në një konferencë shtypi në Kapitol së bashku me udhëheqësin e shumicës Erik Kentër, i cili tha se thirrjet për rritjen e taksave nuk do të merren aspak në konsideratë.

"Ne nuk besojmë se ngritja e taksave është zgjidhje e problemit. Jam i mendimit se populli amerikan e kupton se kemi një problem serioz në këtë vend. Ne kemi një borxh të madh që do ta rëndojë tepër brezin e ardhshëm dhe mundësitë tona për një të ardhme më të mirë".

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të fillojë të enjten debatin për një projekt-ligj të hartuar nga republikanët për buxhetin për vitin 2012, që parashikon shkurtimin e trilionave dollarëve nga buxheti federal si dhe ristrukturimin e programeve federale që ofrojnë mbulim shëndetësor për të moshuarit dhe të varfërit. Një prej drejtuesve të grupit demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvenësi Steny Hoyer tha se republikanët padrejtësisht po dëmtojnë të moshuarit dhe të varfërit.

“Republikanët thonë se vendi nuk mund të përballojë dot programe shëndetësore për të moshuarit. Por nga ana tjetër ne paskemi mjaft pare për të pakësuar taksat për të pasurit.”

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, ligjvenësi Mitch McConnell tha se Uashingtoni duhet të marrë masa pasi vendet e tjera po presin të shikojnë në se Shtetet e Bashkuara do të arrijnë ta ulin deficitin tepër të lartë që vazhdon të ngrihet si dhe borxhin kombëtar.

“Ata kërkojnë të dinë në se Amerika do të marrë masa, apo do të kthehet në një Greqi tjetër. Dhe besimi që kanë vendet e tjera tek ne është tepër i rëndësishëm për këtë ekonomi globale. A është Amerika në rënie apo është ende në ngritje?”

Javën e kaluar Republikanët dhe Demokratët ranë dakord të shkurtojnë 38,5 miliardë dollarë nga buxheti i vitit 2011, një marrëveshje që u arrit në minutën e fundit për të shmangur mbylljen e qeverisë.

Të enjten Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati pritet të votojnë për të miratuar buxhetin e vitit 2011.

XS
SM
MD
LG