Lidhje

Poroshenko zotohet të mbrojë Mariupolin


Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko është zotuar të shtypë rebelët e mbështetur nga Rusia nëse ata shkelin një armëpushim të brishtë dhe sulmojnë qytetin strategjik Mariupol. Zoti Poroshenko tha se forcat ukrainase dhe njerëzit e qytetit-port Mariupol janë të përgatitur të mbrojnë qytetin, por jo të gjithë janë dakord.

Presidenti ukrainas u prit ngrohtë në Mariupol, ndërkohë që armëpushim i brishtë me rebelët prorusë u dukë të ndalte avancimin e tyre.

Por zoti Poroshenko pranoi se ka pasur disa përleshje dhe premtoi se forcat e Ukrainës do t’i shtypnin separatistët në qoftë se ata përpiqeshin të pushtonin qytetin.

"Ne modernizuam pajisjet. Përforcuam trupat e rojes kombëtare. Por gjëja kryesore që kemi është shpirti i fuqishëm patriotik dhe luftarak i Ukrainës dhe i qytetarëve të Mariupolit."

Por jo të gjithë janë dakord se ata janë të gatshëm të ndeshen me forca rebele që besohet të jenë të mbështetura nga tanket dhe artileria ruse. Pika lindore e kontrollit në Mariupol u bombardua vetëm disa orë pas armëpushimit, dhe nënkoloneli në komandë, Sergei, thotë se ata vazhdojnë të goditen çdo ditë.

Ai kërkon ndihmën e Amerikës, duke thënë se ata kanë vetëm disa topa dhe tanke dhe jo shumë mbështetje nga vendasit.

"Nëse flasim me përqindje, vetëm 40 për qind na mbështesin ne. Dhe mes tyre, disa mbështesin Ukrainën, por jo në mënyrë të hapur. Në pjesën që mbetet, 30 për qind janë prorusë në mënyrë aktive, ndërsa 30 për qind, dhe kjo është gjëja më e frikshme, nuk janë të interesuar se nën cilin flamur jetojnë."

Pavarësisht sulmeve, presidenti Poroshenko këmbëngul se armëpushimi po funksionon dhe njoftoi se rebelët liruan 1 mijë e 200 robër ukrainas. Ai tha se Ukraina vazhdon të përforcojë forcat mbrojtëse rreth Mariupolit, ndërkohë që punon drejt një zgjidhjeje të negociuar të konfliktit me përfshirje të vëzhguesve ndërkombëtarë.

"Sa më shumë që rrisim presionin, aq më shumë trupa ruse hyjnë në territorin tonë. Sipas meje, mënyra më e shpejtë për të krijuar paqe dhe stabilitet këtu është shumë e thjeshtë: Tërhiqni trupat e huaja dhe mbyllni kufirin. Dhe brenda një jave, do të gjejmë një kompromis."

Njerëzit në Mariupol duan që zgjidhja paqësore të gjehet sa më shpejt. Yula, operatore në tregun e pasurive të patundshme në Mariupol, thotë se ajo është për një Ukrainë të bashkuar, por ka një mesazh për Presidentin.

"Ndoshta duhet të tregoni më shumë vëmendje ndaj njerëzve. Të bëni atë që njerëzit kërkojnë që të bëni, sepse njerëzit vazhdojnë të luftojnë dhe kjo është e pakuptimtë."

Një prift bekon ushtarët ukrainas në një postbllok në lindje të Mariupolit. Komandanti thotë se rebelët e mbështetur nga Rusia kanë nevojë për portin strategjik dhe fabrikën e metalit të qytetit, prandaj ai pret sulm për pushtim. Nëse kjo ndodh, thotë ai, ai dhe njerëzit e tij do të jenë të gatshëm të japin jetën për vendin e tyre.

XS
SM
MD
LG