Lidhje

Presidenti Obama festoi dje 50 vjetorin e ditëlindjes në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti Obama festoi dje 50 vjetorin e ditëlindjes në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti Obama festoi dje 50 vjetorin e ditëlindjes në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Barak Obama festoi dje 50 vjetorin e ditëlindjes në Shtëpinë e Bardhë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon se kjo ishte dita e dytë e festimeve për presidentin.

Aroma e mishit të pjekur të pulës kishte mbushur kopshtet e Shtëpisë së Bardhë dje, ndërsa kuzhinierët përgatiteshin për festimet e ditëlindjes së presidentit.

Anëtarët e stafit të administratës i uruan ditëlindjen presidentit në mesditë dhe më vonë u zhvillua një pritje për miqtë dhe familjen në Kopshtin e Trëndafilave.

Festimet e ditëlindjes së zotit Obama filluan të mërkurën në mbrëmje në qytetin e tij Çikago, me rreth 2400 të pranishëm që morrën pjesë në një aktivitet për mbledhjen e fondeve për fushatën e tij të rizgjedhjes në vitin 2012.

"Nuk do të kisha patur dhuratë më të mirë para ditëlindjes se sa të kaloj këtë mbrëmje me ju”.

Dikush nga të panishmit thirri: “Të duam”. Presidenti u përgjegj: “Edhe unë ju dua”. Mbështetësit e presidentit që kishin shkuar në pritje dëgjuan muzikë nga legjenda e xhazit Herbi Henkok dhe këngëtarja Xhenifër Hadson.

Ata që paguan rreth 36 mijë dollarë për biletat më të shtrenjta të mbrëmjes, u ftuan në një darkë më të vogël private me presidentin. Zoti Obama e festoi ditëlindjen e tij të 50-të me një sens humori. Ai u tha të pranishëmve se me kalimin e moshës, ai po i kushton më shumë vemendje programeve sociale për të moshuarit.

"Është e vërtetë që mbush 50 vjeç nesër. Kjo do të thotë se kur të ngrihem do të kem marrë një imeil nga AARP (Shoqata Amerikane e Njerëzve të Moshuar) në të cilën më kërkon t’i telefonoj Presidentit Obama dhe t’i them të mbrojë Medikerin”.

Anëtarësimi në shoqatën e fuqishme të të moshuarve është pothuajse një ritual për shumë amerikanë që mbushin 50 vjeç.

Zoti Obama është presidenti i katërt më i ri nga 44 presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe i shtati që feston 50 vjetorin në këtë detyrë. Bill Klintoni ishte më i fundit në vitin 1996.

Zoti Obama tha kohët e fundit se flokët i janë thinjur dukshëm gjatë dy vjetëve e gjysmë që kur u bë president. Por tha se e shoqja, Mishellë, ende mendon se ai është “i lezetshëm”.

XS
SM
MD
LG