Lidhje

Presidenti Obama paraqet një plan të ri ekonomik në fjalimin për gjendjen e vendit

  • Keida Kostreci

Presidenti Obama paraqet një plan të ri ekonomik në fjalimin për gjendjen e vendit

Presidenti Obama paraqet një plan të ri ekonomik në fjalimin për gjendjen e vendit

Presidenti amerikan Barack Obama mbajti sot fjalimin e tij të tretë për gjendjen e vendit, ku prezantoi një plan të ri ekonomik. Në fjalimin që ka një rëndësi të veçantë pasi mbahet në një vit zgjedhor, Presidenti tha se në rrezik nuk janë vlerat demokrate apo ato republikane, por vlerat amerikane. Presidenti Obama e filloi fjalimin e tij me një ton optimist.

“Për herë të parë pas 9 vjetësh, nuk ka më amerikanë që luftojnë në Irak. Për herë të parë në dy dekada, Osama bin Laden nuk përbën më kërcënim për këtë vend. Shumë nga zëvendësit e tij kyesorë janë eliminuar. Talebanët janë dobësuar dhe disa trupa nga Afganistani po kthehen”.

Presidenti njoftoi se po prezanton një plan të ri për një ekonomi të qëndrueshme, të mbështetur në prodhimet, energjinë dhe talentet e punonjësve amerikanë dhe tek ajo që ai e quajti “ripërtëritje të vlerave amerikane”. Presidenti u bëri thirrje ligjvënësve që të ndjekin shembullin e trupave amerikane dhe të punojnë së bashku për të formuar një vend që udhëheq botën në arsim, tërheq një brez të ri të prodhimeve të teknologjisë së lartë dhe me punë që paguajnë mirë, me një ekonomi ku puna dhe përgjegjësia shpërblehen.

“Çështja vendimtare e epokës tonë është sesi ta mbajmë gjallë këtë premtim. Asnjë sfidë nuk është më urgjente. Asnjë debat nuk ka më shumë rëndësi. Ne mund të pranojmë një vend ku një numër i vogël njerëzish janë shumë të pasur dhe të tjerët mezi ia dalin. Ose mund të ripërtërijmë një ekonomi ku gjithkush ka një shans, jep kontributin e rij dhe ku rregullat janë njëlloj për të gjithë”.

Presidenti foli për arritjet e adminstratës së tij në hapjen e vendeve të punës dhe shkurtimin e defiçitit dhe paralajmëroi republikanët në Kongres se do të luftojë çdo përpjekje për t’iu rikthyer një ekonomie që ai tha se u “dobësua nga transferimi i vendeve të punës jashtë Shteteve të Bashkuara, huatë e këqia dhe dhe fitimet e rreme financiare”.

Ai tha se ata që krijojnë vende punë brenda vendit duhet të paguajnë më pak taksa. Ai bëri gjithashtu thirrje për që reformë taksash ku amerikanët më të pasur të paguajnë aq sa u takon. Ai tha se nëse dikush bën mbi 1 milionë dollarë në vit, nuk duhet të paguajë më pak se 30 për qind taksa. Përsa i takon pavarësisë të burimeve energjitike, presidenti Obama njoftoi se po e udhëzon administratën që të hapë mbi 75 për qind të burimeve të mundshme të naftës dhe gazit në det. Ai deklaroi se Departamenti i Mbrojtjes do të ndërmarrë një nga angazhimet më të mëdha për energji të pastër në histori. Presidenti foli për rëndësinë e një reforme gjithëpërfshirëse të emigracionit.

“Por nëse politika e këtij viti zgjedhjesh nuk e lë Kongresin të veprojë për një plan të tillë, le të biem të paktën dakord që të mos dëbojmë të rinjtë e përgjegjshëm që duan të punojnë në laboratoret tona, të hapin biznese, ta mbrojnë këtë vend. Më dërgoni një ligj që u jep shansin të fitojnë shtetësinë dhe unë do ta nënshkruaj menjëherë”.

Duke folur për Pranverën arabe, Presidenti tha se nuk është e sigurt se si do të përfundojë ky transformin.

“Por për ne rezultati është shumë i rëndësishëm. Dhe ndërsa I takon popujve të rajonit të vendosin për fatin e tyre, ne do të mbrojmë ato vlera të cilat i kanë vlejtur vendit tone aq shumë. Ne nuk do të lejomë dhunën apo frikësimin. Ne do të mbrojmë të drejtat dhe dinjitetin e të gjithë njerëzve, gra apo burra, të krishterë, myslimanë apo hebrenj. Ne do të mbështesin politikat që çojnë në demokraci të forta dhe të qënddrueshme, dhe tregje të hapura sepse tirania nuk mund t''i bëjë ballë lirisë”.

Duke folur për Iranin, zoti Obama tha se Amerika është e gatshme të mos e lejojë atë që të ketë në dorë armë bërthamore dhe çdo alternative do të merret në shqyrtim për të arritur këtë qëllim.

Presidenti vuri në dukje ndryshimin mes tij dhe rivalëve të tij republikanë, të cilët nga ana e tyre e kanë kritikuar sot Presidentin për politikat e tij, në takimet e tyre të fushatës.

Por Presidenti Obama përdori një ton pajtues, duke cituar Abraham Lincolnin, një president republikan dhe duke thënë se asnjë nga reformat e duhura për përparimin e vendit, nuk mund të realizohet nëse temperatura në Uashington nuk ulet dhe nëse të dyja palët nuk punojnë së bashku.

Por në përgjigjen republikane, guvernatori i shtetit të Indianës, Mitch Daniels tha se Presidenti Obama kishte zgjedhur rrugët ekstreme, me ato që ai i quajti politika kundër rritjes dhe një plan për përçarjen dhe jo bashkimin e Amerikës.

“Asnjë aspekt i presidencës së zotit Obama nuk ka qenë më i trishtueshëm sesa përpjekjet e vazhdueshme për të na përçarë, duke mbështetur disa amerikanë dhe duke sulmuar të tjerë”.

Ai tha se gjatë tre vjetëve në detyrë të Presidentit Obama gjendja në vend është keqësuar, duke përmendur papunësinë e lartë dhe shpenzimet e larta.

Presidenti Obama takoi shumë nga anëtarët e Kongresit para se të fillonte fjalimin, por momenti më emocional ishte kur u takua me demokraten Gabrielle Gifford, e cila një vit më parë u plagos më Tuson të Arizonës dhe e cila ka njoftuar se do të japë dorëheqjen duke filluar nga Kongresi. Hyrja e saj në sallën e Kongresit pak para fjalimit ishte një moment ku si demokratët dhe republikanët shfaqën një emocion të dukshëm.

Fjalimi mbahet ndërsa gara presidenciale këtë vit është e ashpër. Analistët politikë do të ndjekin me kujdes ndikimin që do të ketë fjalimi tek mbështetja për Presidentin Obama. Gara e nëntorit do të vendosë nëse presidenti Obama do të marrë një mandat të dytë, apo nëse një nga kandidatët republikanë do të marrë Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG