Lidhje

Presidenti Obama përballë ndryshimit në politikën amerikane

  • Jim Malone

Presidenti Obama përballë ndryshimit në politikën amerikane

Presidenti Obama përballë ndryshimit në politikën amerikane

Presidenti Barak Obama përballet me një ndryshim në politikën amerikane pas zgjedhjeve për në Kongres të 2 nëntorit. Duke filluar nga janari, republicanët do të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe do të kenë 6 vende shtesë në Senat.

Republikanët, të cilët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, po zotohen se do të përpiqen për një plan të ri në Kongres, i cili përqëndrohet tek shkurtimi i taksave dhe i shpenzimeve qeveritare.

Udhëheqësi republikan i Kongresit, Xhon Bejner, u bë tashmë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve.

"Ne themi se duhet të ketë një ngrirje të punësimeve në qeveri dhe sinqerisht, që duhet ta bëjmë këtë".

Para fillimit të turneut të tij 10-ditor në vendet aziatike, Presidenti Obama tha se mesazhi që ai mori nga zgjedhjet ishte se votuesit duan që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi të fokusohen tek ekonomia dhe krijimi i vendeve të punës, pas fillimit nga puna të Kongresit të ri në janar.

"Populli amerikan nuk do që ne të rrimë duarkryq, por do që të përpiqemi për të".

Republikanët e lexojnë ndryshe rezultatin e zgjedhjeve. Në kushtet kur fituan një numër të madh vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, udhëheqësit republikanë thonë se votuesit kërkojnë të merren vendime për përparësitë e përcaktuara gjatë fushatës - në veҫanti masa për të patur një qeveri më të vogël.

Ja si shprehet udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch Mekonëll nga Kentaki:

"Votuesit nuk është se ranë menjëherë në dashuri me republikanët. Ne e dime këtë. Atyre iu zbeh dashuria për demokratët. Ata votuan për të patur më shumë republikanë në Washington, dhe duan që ata të jenë të vendosur për ndryshime".

Këtë vit votuesit i shpërblyen republikanët, ashtu siç bënë me demokratët në zgjedhjet e vitit 2006 dhe 2008 me demokratët. Ndryshimi i mendjes së votuesve këtë vit, flet për një elektorat tepër të luhatshëm, thotë Michelle Bernard e Forumit të Grave të Pavarura.

"Republikanët dhe demokratët duhet të bashkëpunojnë. Ata duhet të jenë të aftë të tregojnë gjatë dy viteve të ardhshme se do të bëjnë diçka për pakësimin e deficitit dhe të shtojnë vendet e punës në sektorin privat. Dhe në se nuk e bëjnë një gjë të tillë, ky elektorat ka treguar se nuk do të votojë më as për ta pas dy vjetësh".

Por nuk është e qartë se deri në çfarë mase do të duan të bashkëpunojnë partitë kryesore politike. Shumica e analistëve thonë se republikanët do të përpiqen të imponohen në Kongresin e ri, duke u përqëndruar në çështje si pakësimi i shpenzimeve qeveritare dhe ndryshimin e ligjit e të Presidentit për shërbimin shëndetësor, i cili u miratua në Kongres vetëm me votën e demokratëve.

Presidenti Obama përballet me një situatë politike të ngjashme me atë që u përball Bill Clinton pas zgjedhjeve të mesit të mandatit të vitit 1994, kur republikanët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit.

Zoti Clinton ju kundërvu republikanëve për disa çështje, por gjeti edhe fusha bashkëpunimi për disa të tjera, një strategji që e ndihmoi atë të rizgjidhet në vitin 1996.

Disa demokratë po përpiqen të gjejnë një përsëritje të kësaj strategjie, përfshi edhe ish-kongresmeni nga Teksasi Martin Frost.

"Çështja është në se Presidenti do të bëhet Xhimi Karteri, apo Bill Klintoni? Mendoj se kjo çështje shtrohet. Udhëheqësit demokratë duhet ta kuptojnë se publikut nuk i pëlqeu trajtimi i çështjeve prej tyre dhe udhëheqësit demokratë dhe presidenti duhet të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të bashkëpunuar, sepse publiku nuk do që të ketë ngërç politik, por ai do të merren masa për përmirësimin e gjendjes ekonomike."

Presidenti dhe republikanët në Kongres po ashtu do të mendojnë për të ardhmen, për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, kur zoti Obama mund të kërkojë rizgjedhjen e tij.



XS
SM
MD
LG