Lidhje

Presidentja Jahjaga mban fjalimin vjetor në Parlament

  • Leonat Shehu

Presidentja Jahjaga mban fjalimin vjetor në Parlament

Presidentja Jahjaga mban fjalimin vjetor në Parlament

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u bëri thirrje sot pjesëtarëve të komunitetit serb që të integrohen në jetën politike në vend, ndërsa Beogradit të heq dorë nga mbështetja e strukturave paralele, si kusht për rindërtimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ajo i bëri këto komente në fjalimin vjetor në Parlament, ku tha se Kosova që nga shpallja e pavarësisë së saj ka dëshmuar se është faktor i paqes së qëndrueshme në rajon dhe do ngulë këmbë në paprekshmërinë e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj.

“I bëjmë thirrje udhëheqjes së Republikës së Serbisë, që të heqë dorë nga pretendimet territoriale dhe që të ndërpresë përkrahjen për strukturat ilegale, kriminale, në tri komunat në veri të Kosovës, të cilat po e mbajnë peng të ardhmen dhe përparimin e qytetarëve. Periudha e luftërave dhe e hegjemonisë në Ballkan ka përfunduar. Në Kosovë jemi të përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për qytetarët tanë, pa dallim etnie dhe pa urrejtje.”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo shprehu besimin se integrimi i popullsisë serbe në veri të vendit është rruga e ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët, të dinjitetshme dhe të sigurt. Presidentja Jahjaga u bëri thirrje banorëve të asaj pjese që të integrohen në jetën politike në vend, duke i siguruar ata për kujdesin e institucioneve të vendit.

“Ne kemi hapur derën e integrimit dhe do ta mbajmë të hapur atë për të gjithë. Integrimi bazohet në pjesëmarrjen aktive në ndërtimin e shoqërisë demokratike gjithëpërfshirëse dhe prosperuese, që respekton ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Krijimi i kushteve për sundimin e ligjit, për zhvillim ekonomik dhe për demokratizim do të normalizonte gjendjen në tri komunat veriore. Sundimi i ligjit dhe siguria do të ndërtohet në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare dhe me qytetarët serbë, të cilët duhet të jetojnë në ambient të sigurt, me qasje në drejtësi përmes gjykatave funksionale, me rend e qetësi të garantuar nga policia e Kosovës”, tha ajo.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova e ka perspektivën e qartë evropiane dhe se ky përkushtim është dëshmuar në të gjitha proceset e deritashme, duke përfshirë edhe bisedimet me Serbinë, që po zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne nuk duhet t’i shmangemi dialogut. Parimet themelore të shtetësisë sonë dhe të subjektivitetit nuk mund dhe nuk do të jenë pjesë e asnjë diskutimi me askënd, e aq më pak me Republikën e Serbisë. Dialogu transparent dhe me llogaridhënie përpara qytetarëve tanë, do të jetë garant i suksesit të këtij procesi, dhe e siguron përkrahjen e plotë të qytetarëve. Marrëveshjet do të jenë në përputhje me interesat e vendit, me interesat e qytetarëve të Kosovës dhe me synimin e vizionin tonë për një të ardhme në BE”, tha ajo.

E kjo e ardhme, tha Presidentja Jahjaga nuk mund arrihet edhe pa luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që sipas saj e pengojnë zhvillimin e shoqërisë. Ajo bëri të ditur themelimin e një Këshilli Anti Korrupsion që do të udhëhiqet nga vet presidentja, e që ka për qëllim bashkërendimin e veprimeve dhe përcaktimin e politikave për çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

XS
SM
MD
LG