Lidhje

Shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë

  • Henry Ridgwell

Luftanija norvegjeze Helge Ingstad

Luftanija norvegjeze Helge Ingstad

Operacioni për largimin nga vendi dhe shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë vazhdon të shtyhet për shkak të problemeve të sigurisë dhe motit të keq. Disa vende kanë dërguar tashmë anije lufte për të shoqëruar armët në det të hapur, por ngarkesa ende duhet të mbërrijë në bregdetin sirian. Megjithatë, zyrtarë të përfshirë në operacion thonë se në përgjithësi procesi është në rrugën e duhur.

Luftanija norvegjeze Helge Ingstad është duke pritur në ujërat ndërkombëtare për urdhrin për të hyrë në Siri. Pranë saj qëndron Taiko – një nga anijet e mallrave më të mëdha në botë – e cila do të transportojë armët kimike në një anije amerikane të përshtatur posaçërisht, ku ato do të shkatërrohen.
Per Rostad është Komandant i anijes Helge Ingstad.

"Sa i përket kërcënimit ushtarak, mendoj se niveli i një kërcënimi të tillë është i përballueshëm, por mund të ketë çështje të tjera, si probleme me kontenierët, probleme me afrimin përbri, probleme me makineritë, e gjëra të tilla."

Së pari, armët duhet të transportohen në portin Latakia. Muajin e kaluar, forcat qeveritare siriane rifituan kontrollin e dy qyteteve kryesore gjatë rrugës nga Damasku në Latakia, të cilat mbaheshin nga kryengritësit. Por, problemet e vazhdueshme të sigurisë dhe moti i keq bënë që afati i 31 dhjetorit të mos përmbushej.
Mark Fitzpatrick është drejtor i programit të çarmatimit në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

"Nëse shohim përparimin e bërë, vëmë re se vetëm disa muaj më parë askush nuk do të kishte menduar se Siria do të kishte deklaruar të gjitha armët kimike të saj, që aftësitë e saj prodhuese do të ishin shkatërruar dhe që kaq shumë vende do të ishin duke bashkëpunuar: vende si Rusia, Shtetet e Bashkuara, Kina e të tjera po punojnë krah për krah."

Krahas Norvegjisë dhe Danimarkës, Kina po konsideron gjithashtu nxjerrjen e një luftanijeje. Pamje video të televizionit shtetëror kinez CCTV tregojnë anijen ushtarake Yancheng, për të cilën rrjeti televiziv thotë se do t’i bashkohet luftanijeve të tjera shoqëruese. Zëri i Amerikës nuk mund të konfirmojë saktësinë e këtij njoftimi.
Li Baodong është zëvendësministër i Jashtëm i Kinës:

"Arsyeja e përfshirjes së Kinës është që të kontribuojë në zgjidhjen politike të çështjes së Sirisë. Kjo dëshmon plotësisht përgjegjshmërinë e Kinës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë botërore, si një nga anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së."

Gatishmëria e komunitetit ndërkombëtar për të bashkëpunuar është e pashembullt, thotë Mark Fitzpatrick.

"Shumë pak prej këtyre shteteve ishin dakord të përfshiheshin në një konflikt, pra në një ndërhyrje me forcë... në fakt, pothuasje askush nuk donte të përfshihej në ndërhyrje. Por, kur bëhet fjalë për një përpjekje paqeje, duke shkatërruar armët kimike, të gjithë janë të gatshëm."

Një sulm kimik në një zonë të quajtur Ghouta në gusht të vitit të kaluar shkaktoi zemërim ndërkombëtar. Qeveria siriane mohoi të ishte përgjegjëse, por, nën presion ndërkombëtar, ra dakord të dorëzojë rezervat e saj të armëve kimike. Këshilli Kombëtar Sirian, një koalicion i grupeve opozitare, përshëndeti vendimin për asgjësimin e armëve.

"Shkatërrimi i armëve kimike do të ishte një sukses i madh për bashkësinë ndërkombëtare në tërësi dhe jo vetëm një fitore e kombit sirian. Sigurisht, ne jemi kundër këtyre armëve, por për ne kushtet e jetës me të cilat sirianët përballen dhe për të cilat shqetësohen janë më të rëndësishme," thotë Mahmoud al-Hamza i Këshillit Kombëtar Sirian.

Këto kushte vazhdojnë të përkeqësohen. Video të postuara në internet të martën tregojnë bombardime të lagjeve të banuara nga civilë në Homs dhe Damask. Organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se gjatë konfliktit janë vrarë deri tani 130 mijë njerëz.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG