Lidhje

Punësimi i profesionistëve amerikanë


Që prej krizës financiare e vitit 2008, në ekonominë amerikanë është vënë re përshpejtimi i një prirjeje për punësim të përkohshëm, në vend të atij me kohë të plotë. Sipas disa të dhënave, një në tre punonjës amerikanë bën tashmë punë të pavarur, punon me kontratë ose si punonjës i përkohshëm, ndërkohë që shumica e tyre nuk kanë sigurime sociale. Materiali në vazhdim na njeh me dy profesionistë në Nju Jork të cilët arrijnë të gjejnë vetëm punë me kohë të pjesshme. Një prej tyre është në fillim të karrierës së saj, ndërsa tjetri mendonte se ishte pranë fundit të ushtrimit të profesionit të tij.

Harry Zupnik, një specialist i teknologjisë së informacionit, humbi vendin e punës në një firmë të madhe telekomunikacioni në vitin 2007.

"Dhe që atëherë, pra në pak më shumë se gjashtë vjet, unë kam punuar gjithsej afro 24 muaj. Të gjitha rastet kanë qenë punë e përkohshme mbi projekte të veçanta: bëj projektin dhe ik."

Ai shpresonte të linte punën duke përfituar gjysmë pensioni kur të bëhej 60 vjeç. Ndërsa tani, Harry nuk guxon të mos pranojë asnjë punë që i paraqitet.

"Kur nuk jam duke punuar, kam frikë të shkoj me pushime për shkak të kostos, por dhe sepse jam i shqetësuar se mund të humbas ndonjë mundësi projekti."

Corinne Pulicay është sa gjysma e moshës së zotit Zupnik, por ajo ndodhet në një situatë të ngjashme, duke punuar punë të përkohshme ndërsa studion modën e tekstileve dhe marketing me kohë të pjesshme. Vitin e kaluar, ajo hoqi dorë nga një punë me kohë të plotë, sepse nuk kishte mundësi për rritje në pozitë.

"Megjithatë, që atëherë kam pasur vështirësi të gjej një punë të qëndrueshme, prandaj kam pranuar punë të përkohshme të ndryshme."

Ajo thotë se punët e sigurta të paguara mirë, po bëhen gjithnjë e më të rralla.

"Është diçka e frikshme. Mendoj se po lind një sistem i ri ekonomik, në të cilin secili duhet të kujdeset për veten."

Ekspertët thonë se rreth një e treta e amerikanëve të punësuar janë tashmë punonjës të përkohshëm, punëtorë me ditë, kontraktorë ose me punësim me kohë të pjesshme. Pothuajse të gjithë janë duke punuar pa përfitime si planet e pensionit dhe pa një orar ose paga të rregullta.

Transferimi i vendeve të punës jashtë Amerikës dhe ristrukturimi financiar janë arsyet kryesore, sipas profesorit të Universitetit të Pensilvanisë Peter Capelli, i cili foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

"Tani kompanitë nuk e dinë me siguri nëse kërkesa do të rritet apo do të bjerë, apo se sa do të zgjasë një projekt. Më parë ata i siguronin punonjësve punësim të përhershëm. Kur nevoja për punë ulej, ata i mbanin gjithsesi punonjësit. Tani nuk e bëjnë këtë."


Ai thotë se shumica e punonjësve nuk e zgjedhin me dëshirë punën si të pavarur .

"Shumica e njerëzve nuk i kanë të ardhurat financiare që do ta bënin atë një gjë të arsyeshme për t’u zgjedhur. Punëdhënësit e preferojnë këtë dhe mendojnë se kjo i ndihmon të mbeten konkurrues, prandaj kemi të bëjmë me një situatë ku ka fitues dhe humbës."

Për Harry Zupnik, vështirësia për të gjetur punë prek çdo aspekt të jetës së tij.

"Prek jetën time familjare, miqësitë e mia, marrëdhëniet e mia me njerëzit, vetëbesimin tim, mënyrën se si ndihem për veten kur eci në rrugë."

Zoti Zupnik kohët e fundit pranoi një punë të përkohshme gjashtë orë larg me makinë, nga Nju Jorku në Buffalo.

Corinne Pulicay thotë se ajo shpreson që një diplomë në fushën e tekstileve të përmirësojë perspektivat e saj për një punë të përhershme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG