Lidhje

Projekti Za’Lart për shkeljet gjatë fushatës


Në Shqipëri, një projekt i quajtur Za’ Lart po mbledh denoncimet e qytetarëve mbi shkeljet gjatë fushatës zgjedhore. Siç njofton nga Tirana korrespondenti ynë Ilirian Agolli, nga materialet e denoncuara, vërehen shkelje me administratën, fëmijët dhe pakicat kombëtare.


Perceptimi i qytetarëve për procesin zgjedhor ka sivjet për herë të parë një matje nga shoqëria civile përmes projektit Za’Lart, ku përmes një platforme interneti janë denoncuar deri tani rreth 100 shkelje të ndryshme ligjore gjatë fushatës si keqpërdorime të administratës qendrore e vendore, përfshirja e fëmijëve në tubime, fjalime joetike të politikanëve, dëmtime të zyrave dhe reklamave partiake dhe cënimi i të drejtës së votës përmes parregullsive në listat zgjedhore dhe kartat e identitetit.
Drejtuesit e këtij projekti pohuan sot se pjesa dërrmuese, rreth një e treta e denoncimeve online me foto, tekst dhe video nga e gjithë Shqipëria, kanë të bëjnë me keqpërdorimin e administratës qendrore dhe vendore për veprimtari partiake gjatë fushatës zgjedhore
Projekti ZA’LART synon jo vetëm të matë reagimin qytetar por edhe të nxitë pjesëmarrjen dhe guximin e qytetarëve në këtë proces demokratik, duke denoncuar publikisht shkeljet flagrante që shohin para syve të tyre gjatë fushatës zgjedhore.
Drejtuesja e projektit, Aranita Brahaj, thotë se sekuestrimi kartave të identitetit, që u shpik zgjedhjet e kaluara nga një parti e vogël politike për t’i penguar njerëzit që të votojnë, këtë vit është bërë një dukuri masive në të gjithë vendin, por më shumë po e vuajnë bashkësitë e diskriminuara.
Përveç dëmtimit të zyrave dhe reklamave zgjedhore një tjetër denoncim i qytetarëve është edhe përpjekja për blerje të votës me përfitime materiale, dhe cënim i fshehtësisë së votës, duke u kërkuar njerëzve të deklarojnë hapur votën e tyre në këmbim të përfiitimeve. Krahas këtyre denoncimeve të vetë qytetarëve, fushata zgjedhore e këtij viti po shoqërohet nga afër edhe nga mbi një mijë vëzhgues vendas e të huaj, që po ndjekin veprimtaritë e partive, kandidatëve dhe të KQZ, deri ditën e zgjedhjeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG