Lidhje

Kritika ndaj ligjit të ri rus mbi OJQ-të


Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi kohët e fundit një ligj që u jep prokurorëve kompetencën për të shpallur "të padëshirueshme" organizatat e huaja dhe ndërkombëtare në Rusi, për t'i mbyllur ato, dhe për të ndëshkuar qytetarët rusë që punojnë në to. Mbështetësit thonë se ligji ka për qëllim të parandalojë kërcënimet ndaj rregullit kushtetues në Rusi, sigurisë dhe mbrojtjes së shtetit. Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se ligji është një goditje ndaj zërave të pakënaqur që kritikojnë ose sfidojnë pushtetin e zotit Putin, njofton nga Moska korrespondenti i Zërit të Amerikës Daniel Schearf.

Presidenti Putin nënshkroi pa bujë ligjin mbi organizatat e "padëshirueshme" të huaja dhe ndërkombëtare pas një debati të shkurtër dhe disa leximeve të shpejta në parlamentin rus, Duma.

Ky kërcënim i ri ndaj grupeve të shoqërisë civile, megjithatë, u prit me reagime të ashpra nga opozita, nga organizatat e huaja dhe ato vendase.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e dënuan ligjin, i cili lejon prokurorët jo vetëm të mbyllin OJQ-të e huaja, por edhe të ndëshkojnë qytetarët rusë që punojnë në to.

Ky ligj i paqartë lë hapësirë për interpretim të asaj që mund të konsiderohet "e padëshirueshme". Ai sanksionon gjoba ose burgime deri në gjashtë vjet për përsëritje të shkeljeve.

Avokatja e Popullit e Rusisë, Ella Pamfilova, e kritikoi ligjin e ri për mungesë të një baze ligjore. Ajo tha se kompetenca për të deklaruar këto grupe si "të padëshirueshme", pa një proces gjyqësor është kundërkushtetuese. Zonja Pamfilova kritikoi gjithashtu faktin që ligji i ri nuk përfshin të drejtën e ankimit.

Aktivisti rus i anti-korrupsionit, Alexei Navalny muajin e kaluar tha se ligji shton kufizimet e mëparshme që kanë për qëllim mbajtjen e zotit Putin në pushtet. Ai komentoi në një intervistë ekskluzive me zyrën e Zërit të Amerikës në Moskë.

"Unë mendoj se kjo është e lidhur fort me zgjedhjet e vitit 2015 dhe 2016. Për Kremlinin, është shumë e rëndësishme që të eliminojë çdo OJQ që është e aftë të mbledhë fonde, të zhvillojë programe, të mbledhë njerëz, ose të jetë një qendër intelektuale. Putin dëshiron të pastrojë vendin nga strukturat e organizuara".

Zoti Navalny thotë megjithatë se veprimet e Kremlinit nuk nisen thjesht nga cinizmi.

"Unë mendoj se kjo është pjesë e paranojës së Putinit dhe rrethit të tij. Shërbimet sekrete ende besojnë se opozita financohet me para nga jashtë. Ata nuk besojnë se protestat e Moskës në vitin 2011 dhe 2012 ishin rezultat i korrupsionit të Putinit".

Zoti Navalny ishte një nga udhëheqësit kryesorë të protestave anti-qeveritare që sfiduan pushtetin e Putinit me demonstrata në rrugë, në të cilat morën pjesë mbi 100,000 njerëz. Ai u arrestua shpesh dhe kohët e fundit u lirua nga arresti shtëpiak.

Mbështetësit e zotit Putin thonë se rregullat e forta do të ndihmojnë për të mos lejuar forcat perëndimore të nxisin një revolucion kundër Kremlinit.

Në vitin 2012, ata miratuan ligjin i cili lejon etiketimin si "agjent të huaj" të çdo grupi që merr fonde nga jashtë dhe angazhohet në veprimtari politike.

Rreth 64 organizata janë përcaktuar si "agjentë të huaj" dhe duhet të regjistrohen si të tilla ose të paguajnë mijëra dollarë gjoba.

Drejtorja e programit të organizatës Human Rights Watch në Rusi, Tanya Lokshina, thotë se disa organizata janë mbyllur për shkak të këtij etiketimi, i cili nënkupton marrje me aktivitete spiunazhi ose tradhëti.

"Ligji i ri është padyshim pjesë e prirjes për shtypjen e zërave të pavarur, por ai e rëndon edhe më tej situatën. Nën pretekstin e parandalimit të grupeve të huaja dhe ndërkombëtare nga minimi i sigurisë kombëtare, është e qartë se ata duan t'u mbyllin gojën grupeve ruse, aktivistëve dhe t'i shkatërrojnë rrjetet ndërkombëtare, miqtë dhe partnerët e tyre në komunitetin ndërkombëtar".

Kremlini ka nxitur edhe një fushatë për etiketimin e kritikëve të tij, si pjesë të "kolonës së pestë" të tradhtarëve të kombit që përfshin udhëheqës të njohur të opozitës si Navalny.

Ministria ruse e Drejtësisë këtë javë përfshiu një grup të njohur shkencor, Fondacioni Dinastia, në listën e saj të "agjentëve të huaj".

Zyrtarët e justifikuan veprimin, duke thënë se ky përcaktim nuk përbën kërcënim për ekzistencën e çdo organizate dhe vetëm kërkon transparencë mbi financimin e tyre nga jashtë.

Biznesmeni rus i cili udhëheq Fondacionin Dinastia, i tha agjencisë së lajmeve Interfax se nuk do ta financojë më fondacionin për shkak të etiketimit të tij si "agjent i huaj".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG