Lidhje

Qindra militantë të ISIS u vranë nga sulmet ajrore


Sipas burimeve irakiane dhe amerikane, të paktën 250 luftëtarë të grupit Shteti Islamik në Irak janë vrarë nga sulmet ajrore.

Sipas njoftimit, rreth 40 automjete të grupit ISIS u goditën në jug të Falluxhës, ish-qendër e Shtetit Islamik, që u çlirua javën e kaluar nga forcat e koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara.

Ky është sulmi më vdekjeprurës kundër grupit xhihadist, edhe pse zyrtarët paralajmërojnë se morali i ISIS duket se nuk është dëmtuar, pavarësisht nga humbjet territoriale.

Këtë javë, edhe forcat siriane kanë bërë përpjekje për rimarrjen e qyteteve të kontrolluara nga ISIS-i në Siri, pranë kufirit me Irakun. Para dy vjetësh grupi Shteti Islamik shpalli kalifatin në këtë zonë mes të dy shteteve, duke hequr praktikisht kufirin dhe duke lehtësuar qarkullimin dhe transportin për luftëtarët e vet.
Pas ofensivës për Falluxhën, forcat irakiane do të përpiqen për të rimarrë Mosulin që kontrollohet nga ISIS-i.

Për disa javë, zyrtarët amerikanë të zbulimit kanë thënë se ISIS ndodhet në pikën më të dobët që nga zgjerimin e tij i shpejtë.

Por, komandantët ushtarakë kurdë në Irak paralajmërojnë se lufta për Mosulin, qyteti i dytë më i madh në Irak, do të jetë shumë më e ashpër dhe do të kërkojë një marrëveshje politike-ushtarake mes të të gjitha palëve të përfshira në operacion.

XS
SM
MD
LG