Lidhje

Rama kërkon financime kineze

  • Armand Mero

Sot në Beograd bisedime me kryeministrin e Kinës Li Keqiang. Kryeministri takim dhe me homologun serb Vucic

Kryeministri shqiptar Edi Rama pati sot një takim me kryeministrin kinez Li Keqiang, në Beograd, ku u zhvillua dita e dytë e takimit të nivelit të lartë mes Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore. Gjatë takimit të dy palët vunë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe rritjes së investimeve kineze vecanërisht në infrastrukturë dhe energji. Po sot zoti Rama zhvilloi dhe një takim me kryeministrin serb Aleksandër Vucic, i dyti pas atij të 10 nëntorit gjatë vizitës zyrtare të zotit Rama në kryeqytetin e Serbisë.

Dhjetë miliardë dollarë që Kina ka premtuar se do të investojë në Europën Qëndrore dhe Lindore janë një shumë tërheqëse, vecanërisht në këto kohë të vështira edhe për vetë kontinentin e vjetër. Serbia, vendi mikpritës i takimit të tretë të kësaj nisme, duket se do të shijojë konkretisht, së bashku me Hungarinë, përfitimet e para. Sot në Beograd, u nënshkrua marrëveshja për realizimin e linjës hekurudhore të trenave me shpejtësi të lartë, që do të lidhë kryeqytetin serb me Budapestin, në Hungari. Afër 370 kilometra distancë do të mund të përshkruhen në më pak se 3 orë.

Sipas kryeministrit kinez Li Keqiang, “ky projekt do të krijojë një korridor të ri mes Kinës dhe Europës dhe ne shpresojmë të shohim që shkëmbimet mes Kinës dhe Europës të rriten. Mundësitë për rritjen e shkëmbimeve dhe investimeve janë të mëdha dhe hekurudha e trenave të shpejtë do të jetë padyshim një përfitim për tregtinë tonë dhe zhvillimin e të gjitha vendeve të rajonit”.

Edhe kryeministrit serb Aleksandër Vucic tha se “ky projekt do të sjellë përfitime jo vetëm për zhvillimin e infrastrukturës dhe rrjetir hekurudhor, por edhe një lidhje me të mirë me miqtë tanë nga Hungaria, Maqedonia dhe Greqia”. Ideja e këtij projekti është që ai të ketë më vonë dhe një zgjatim drejt Maqedonisë dhe Greqisë, ku Kina ka një prani të fortë në portet e mëdha detare greke.

Nga ana e saj edhe Shqipëria synon të tërheqë sa më shumë financime kineze. Kryeministri Edi Rama u takua sot me homologun e tij kinez ku kërkoi nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi dhe rritjen e investimeve kineze në energji dhe infrastrukturë. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të kryeministrit Rama, edhe drejtuesi i qeverisë kineze “shprehu dëshirën për të rritur importet bujqësore nga Shqipëria, si dhe për të rritur investimet e kompanive kineze në prodhimin e energjisë dhe zhvillimin e infrastrukturës, që do të ndihmonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe ndërlidhjen me akset kryesore në Ballkan dhe Europën Juglindore”.

Njoftimi nuk saktëson nëse është folur për projekte konkrete. Pak orë para takimit të Beogradit, në Tiranë, mbrëmjen e së hënës, u firmos një marrëveshje me Chinese Exim Bank, institucioni financiar që mbështet eksportet dhe investimet kineze jashtë vendit. Kryeministri Rama njoftoi se kjo marrëveshje sipas tij do të hapte një kantier projektesh të financuara nga Kina dhe se i pari do të ishte ai për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Po sot zoti Rama pati një takim dhe me homologun e tij serb Vucic, i dyti brenda një kohe të shkurtër. Bisedimet e 10 nëntorit të shkuar në Beograd përfunduan me tensione pas deklarimeve të kryeministrit shqiptar se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës. Sot, të paktën sipas njoftimeve zyrtare është folur ngushtësisht për marrëdhëniet ekonomiko tregtare mes palëve. “Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e shtrirjes së këtij bashkëpunimi edhe në fushën e zhvillimit infrastrukturor rajonal”, shpjegon njoftimi i Tiranës. Sipas një komunikate të palës serbe, është folur edhe për projekte të përbashkëta që do të mundësonin tërheqjen edhe të fondeve europiane. Një marrëdhënie partneritetit mes Shqipërisë dhe Serbisë do të ishte një sinjal shumë i rëndësishëm për bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit, citohet të ketë thënë kryeministri shqiptar.

Zoti Rama dhe Vucic ishin më pas të pranishëm edhe në ceremoninë e nëshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit, nga ministri i Brendshëm i serb Nebojša Stefanoviç dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG