Lidhje

Kryeministri Rama takoi diplomatët e huaj në Tiranë


Rama: "Integrimi europian është mjaft i lehtë të thuhet, po tejet i vështirë të bëhet".

Kyeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi në mbrëmje se sfida më e vështirë e shumicës së re është t'u kthejë shqiptarëve besimin tek politika, ligji dhe shteti dhe për të ndërtuar një model të ri qeverisjeje. Zoti Rama i bëri këto komente gjatë një takimi ceremonial në selinë e qeverisë me diplomatët e huaj të akredituar në Shqipëri me rastin e marrjes së detyrës së kryeministrit. Ai theksoi se shqiptarët e shohin të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i quajtur të dy “aleatë strategjikë, partnerë kryesorë, të përhershëm e të pazëvendësueshëm”.

“Shqiptarët duan të integrohen në Europë dhe Shqipëria nuk është në ndonjë tren që shkon drejt Europës, por është pjesë natyrale e saj. Në BE nuk shkohet vetëm duke përafruar legjislacionin me Bashkimin Evropian, po edhe duke zbatuar ligjin si rregull të bashkëjetesës sonë në Shqipëri” - deklaroi zoti Rama.

Zoti Rama tha se anëtarësia në NATO tregon se Shqipëria është pjestare e një koalicioni vlerash e parimesh për të cilat jemi gati çdo ditë për të zhvilluar jetën demokratike në vend. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, thellësia dhe efektshmëria e saj, do të jetë sprova e kësaj shumice në qeverisje deri në ditën e anëtarësimit në BE.

“Integrimi europian është mjaft i lehtë të thuhet, po tejet i vështirë të bëhet. Bëhet edhe më i vështirë kur vetëm thuhet dhe bëhet i pamundur kur tjetër thuhet e tjetër bëhet. Siç fatkeqësisht ka ndodhur vitet e fundit. Po sidoqoftë unë mbetem dakord me paraardhësin tim, kur thoshte Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton. Ne do të bëjmë gjithçka për ta merituar atë që kërkojmë nga Bashkimi Europian: Statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim” - tha ai. Kryeministri Rama u tha diplomatëve se sfidat nuk janë të lehta, por ato mund të përballen me përkushtim.

Bashkëpunimi me opozitën mbetet po ashtu një punë jo e lehtë për shumicën e re, ndërkohë që Partia Demokratike ka shprehur shqetësim për shtyrjen e zbatimit të një ligji, i cili u miratua me mirëkuptim në seancat e fundit para zgjedhjeve. Opozita deklaroi se do ta mbrojë fort në parlament ligjin e ri mbi statusin e nëpunësit civil, i cili mori votat e pothuaj gjithë parlamentit, dhe se qeveria nuk e la të hynte në fuqi më 1 shtator, në mënyrë që të zbrazë administratën shtetërore për ta mbusur me militanët e saj. Kjo akt normativ i qeverisë u kundërshtua menjëherë nga opozita, ashtu si edhe vendimet për të larguar foton e presidentit të Republikës nga zyrat shtetërore dhe për ta zëvendësuar me themeluesin e shtetit shqiptar, si dhe për të rishikuar disa kontrata investimesh, apo për emërimet e disa zyrtarëve të rinj në institucione të rëndësishme. Sipas deklaratave të deritanishme të Partisë Demokratike, mospajtimet mes palëve në parlament pritet të jenë të thella, sepse krahas shkëmbimit të akuzave për abuzime, kanë edhe pikëpamje të ndryshme mbi zgjidhjet e problemeve të vendit.


XS
SM
MD
LG