Lidhje

Raport: Vdekshmëria e fëmijëve


Sipas një raporti të ri, numri i vdekshmërisë së fëmijëve nën moshën 5 vjeçare është pothuajse përgjysmuar, në krahasim me 22 vjet më parë. Një raport i përbashkët i UNICEF-it, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bankës Botërore vë në dukje se 6,6 milionë fëmijë kanë vdekur para se të mbushnin 5 vjeç në vitin 2012, në krahasim me 12 milionë në vitin 1990. Korrepondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Schlein, na sjell hollësi nga Gjeneva.

Raporti e quan përparimin e bërë në uljen e vdekjeve tek fëmijët një arritje të shënuar, megjithëse të pamjaftueshme. Në raport thuhet se shumica e vdekjeve janë të parandalueshme, duke marrë disa masa të thjeshta.

Elizabeth Mason, drejtore e departamentit të fëmijëve dhe adoleshentëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se shëndeti i fëmijëve varet shumë nga periudha e kujdesit të nënës gjatë shtatzanësisë dhe më e rëndësishmja kujdesi që tregohet ndaj saj gjatë lindjes dhe në orët e para pas lindjes së fëmijës.

“Ne kemi zgjidhje me kosto të ulët që mund të ulin numrin e vdekjeve tek fëmijët deri në tre të katërtat, ndër të cilat trajtimi i nënave kur ato kryejnë lindje të parakohshme, apo kujdesi për foshnjen e porsalindur duke e mbajtur ngrohtë dhe duke e ushqyer që në fillm me qumësht gjiri”.

Shkaqet kryesore të vdekjes mes fëmijëve nën moshëm 5-vjeçare janë pneumonia, lindja e parakohëshme, asfiksia gjatë lindjes, diarea dhe malarja. OBSH thotë se në shkallë botërore 45 përqind e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare vdesin nga shkaqe që lidhen me ushqimin e pamjaftueshëm.

Raporti vë në dukje se gjysma e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare kanë vdekur në Kinë, në Republikën Demokratike të Kongos, në Indi, në Nigeri dhe në Pakistan. Afrika nën-Sahariane është rajon me shkallën më të lartë të vekshmërisë së fëmijëve në botë, 98 vdekje për 1000 lindje.

Në raport thuhet se fëmija i lindur në Afrikën nën Sahariane rrezikohet 16 herë më shumë që të vdesë para moshës 5 vjeçare se sa një fëmijë i lindur në vendet e pasura. Në të njejtën kohë, raporti vë në dukje se numri i vdekjeve tek fëmijët nën moshën 5-vjeçare ka rënë rreth katër herë që nga viti 1990.

Mark Young, këshilltar i lartë i shëndetit i UNICEF-it, thotë se zhvillimi i përgjithshëm ekonomik ndihmon në uljen e vdekshmërisë së fëmijëve, por vendet e varfëra që kanë një strategji të mirë mund të arrijnë suksese të ndjeshme.

Ai citon rastin e Nigerisë, një nga vendet më të varfëra të Afrikës Perëndimore. Dy dekada më parë, thotë ai, Nigeria kishte shkallën më të lartë të vdekshmërisë së fëmijëve në botë. Tani kjo shifër është ulut me dy të tretat.

“Ata e kanë bërë këtë nëpërmjet një sërë programesh qeveritare të mbështetura nga UNICEF-i. Ata kanë një shërbim shëndetësor falas për gratë dhe fëmijët, kanë zgjeruar rrjetin e shërbimeve në zonat e thella si dhe personelin mjekësor. Ata kanë vënë në jetë një paketë masash profilaktike me shumë ndikim”.

Paketa përfshin imunizimin e fëmijëve, vitaminën A dhe trajtimin kundër malarjes. Zoti Young thotë se Nigeria ka krijuar një program emergjent ushqimi kundrejt kequshqyerjes së fëmijëve.

Në raport thuhet gjithashtu se vende të tjera kanë marrë masa për shmangijen e vdekjeve tek fëmijët. Ethiopia, Kenia, Nigeria, Tanzania, Bangladeshi and disa shtete të Indisë po ndjekin strategji për të ulut numrin e vdekjeve tek fëmijët nga pneumonia dhe diarea, dy sëmundje që u marrin jetën çdo vit dy milionë fëmijëve.

Këto ndërhyrje përfshinë antibiotikët dhe hidratet, vaksinat e reja kundër këtyre sëmundjeve dhe sigurimi i kushteve higjeno-sanitare dhe uji i pastër i pishëm.
XS
SM
MD
LG