Lidhje

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale franceze mbahet të djelën

  • Andre Nesnera

Votuesit francezë shkojnë në votime të dielën, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Dy kandidatët kryesorë janë presidenti aktual Nicolas Sarkozy dhe kandidati i Partisë Socialiste Francois Hollande. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera, ka edhe kandidatë të tjerë, të cilët po luftojnë për postin më të lartë të Francës.

Dhjetë kandidatë janë duke konkurruar për presidencën franceze, edhe pse askush nuk pritet të fitojë 50 për qindshin e nevojshëm të votave në raundin e parë të votimit këtë të djelë. Kjo do të thotë se të dy kandidatët që grumbullojnë më tepër vota në raundin e parë do të përballen me njëri-tjetrin në një raund të dytë votimi, të planifikuar për më 6 Maj.

Anketat e opinionit publik tregojnë se presidenti në detyrë Nicolas Sarkozy dhe kandidati i Partisë Socialiste Francois Hollande do të përballen në balotazh. Por ka edhe kandidatë të tjerë, të cilët përfaqësojnë një spektër të gjerë politik.

Në ekstremin e majtë është Jean-Luc Mélenchon, një ish trockist dhe ish-ministër i kabinetit socialist, i cili u largua nga partia për të formuar koalicionin e tij “Fronti i Majtë”.

Dominique Moisi, këshilltar i lartë në Institutin francez për Çështje Ndërkombëtare në Paris, thotë se Mélenchon është figura më dinamike në një fushatë që ndryshe do të ishte e shurdhër.

"Ai është i gjallë, folësi më i mirë, një radikal shumë i talentuar, dhe i kultivuar. Ai është një revolucionar i fshehtë dhe përfiton nga mbështetja e Partisë Komuniste. Ai ka në dorë timonin e partisë, plus spontanitetin e personalitetit të tij. Ai është e reja e vetme e kësaj fushate. "

Mélenchon, që reklamon kravatën e kuqe karakteristike për të, - ka gjallëruar përkrahësit e krahut të majtë me retorikën e tij të zjarrtë dhe zgjuarsinë e tij. Në një tubim të kohëve të fundit në Paris ai grumbulli 80 mijë përkrahës - më shumë se presidenti Sarkozy.

Mélenchon është anëtar i Parlamentit Evropian - por jo përkrahës i Bashkimit Evropian. Ai ka hedhur poshtë masat shtrënguese ekonomike të BE-së dhe kërkon që Franca të tërhiqet nga NATO-ja.

Në krahun e kundërt politik të “Frontit të Majtë” të zotit Mélenchon është “Fronti Kombëtar” i Marine Le Pen. Ajo është vajza e vogël e Jean-Marie Le Pen, themeluesit të partisë të krahut të djathtë. Dominique Moisi shpjegon se çfarë parimesh mbron Le Pen.

"Për një parti që është e bazuar në frikën dhe urrejtjen ndaj të tjerëve - muslimanëve, në veçanti. Sigurisht, që ajo është një grua e re, është versioni më tërheqës i “Frontit Kombëtar”. Por nuk do shumë që të kuptosh se ajo është trashëgimtarja e vërtetë e babait të saj."

John Merriman, ekspert në Universitetin Yale, thotë se një nga temat e njohura të Marine Le Penit është “Islamizimi i Francës”.

"Ka pesë milionë myslimanë që jetojnë në Francë dhe ka shumë më tepër të padeklaruar. Dhe sigurisht, dikush si Marine Le Pen, dëshiron të provojë se ata nuk janë me të vërtetë francezë, po shkatërrojnë vlerat e Francës dhe po e korruptojnë Francën. "

Në mes të “Frontit Kombëtar” të zonjës Le Pen dhe “Frontit të Majtë” të zotit Mélenchon është centristi Francois Bayrou. Pesë vjet më parë, në raundin e parë të votimeve presidenciale, ai tronditi ekspertët dhe partitë politike, duke marrë gati një të pestën e votave. Dominique Moisi thotë Bayrou mbetet një politikan tërheqëse.

"Në të njëjtën kohë, ai është refuzuar për shkak të sistemit, që është, si në Amerikë, një sistem me dy parti, të djathtë dhe të majtë. …Dhe ai është qendra. Njerëzit bien dakord me idetë e tij, por nuk e marrin atë shumë seriozisht".

Analistët besojnë se as Mélenchon, as Le Pen e as Bayrou nuk do të dalin dot në raundin e dytë të votimit. Por ekspertët thonë se ata që votojnë për këta tre politikanë do të luajnë një rol kritik në raundin e dytë, për të vendosur nëse presidenti në detyrë Nikolas Sarkozy do të rizgjidhet - ose nëse kandidati i Partisë Socialiste Francois Hollande do të jetë ai që do të shkojë në pallatin Elize.

XS
SM
MD
LG