Lidhje

Rënia e popullsisë në Rusi rrezikon rritjen e shpenzimeve qeveritare

  • Zëri Amerikës

Rënia e popullsisë në Rusi rrezikon rritjen e shpenzimeve qeveritare

Rënia e popullsisë në Rusi rrezikon rritjen e shpenzimeve qeveritare

Ekspertët thonë se popullsia e Rusisë mund të zvogëlohet me 25 milion banorë gjatë 40 viteve të ardhshëm. Sipas një raporti të fundit të kompanisë së shërbimeve financiare S&P, kjo rënie mund të rrisë shpenzimet e qeverisë me më shumë se një të katërtën e prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

33-vjeçarja Maria Morozova, nënë e dy fëmijëve, thotë se ajo dhe burri i saj nuk e përballojnë dot financiarisht një fëmijë të tretë. Ajo u detyrua të linte punën si specialiste marketingu në një kompani ku kishte punuar 8 vjet.

“Do të doja të punoja, por pronarja nuk do që të kthehem në punë tani që kam dy fëmijë. Kur bëra fëmijën e parë u ktheva në punë pas tre muajsh dhe qëndrova deri sa u bëra me fëmijën e dytë. Pastaj ajo më tha se nuk isha më e përshtatshme për atë kompani.”

Historitë si të zonjës Morozova janë të zakonshme në Rusi. Gratë këtu shpesh janë të detyruara të zgjedhin nëse duan familje apo karrierë. Dhe kjo po ndikon tek demografia e vendit.

Një raport i publikuar nga firma S&P thotë se popullsia e Rusisë mund të bjerë nga 140 në 116 milion banorë deri në mesin e shekullit. Me ritmin e tanishëm, kjo do të rriste shpenzimet e qeverisë që lidhen me mosha të caktuara nga 13 në më shumë se 25 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto. Analistët paralajmërojnë se borxhi i Rusisë mund të arrijë në 6 herë më tepër se prodhimi kombëtar deri në vitin 2050.

Sergei Zakarov është zëvendës drejtor i Institutit të Demografisë në Moskë.

“Numri i vdekjeve nga shkaqe të tjera si aksidente, trauma, helmime dhe vetëvrasje, pra jo nga sëmundjet, është shumë i lartë këtu....Dhe ky është problemi i parë që duhet trajtuar.”

Muajin e kaluar kryeministri Vladimir Putin tha se qeveria do të japë 50 miliard dollarë për programe që rrisin numrin e lindjeve në Rusi dhe përmirësojnë gjendjen fizike tek adoleshentët. Programet e edukimit parashkollor, edukimi për një jetë të shëndetshme, dhe programet për lënien e duhanit dhe alkoolit do të kërkojnë më shumë fonde.

Demografët thonë se deri në vitin 2030, në Rusi do të ketë një pensionist për çdo njeri që punon. Ata thonë se qeveria do të detyrohet të rrisë moshën e daljes në pension që tani është 60 vjeç për burrat dhe 55 për gratë.

Tërheqja e imigrantëve në vend është pjesë e planit të qeverisë. Por ekspertët paralajmërojnë se mund të ketë pengesa duke marrë parasysh rritjen e nacionalizmit në Rusi.

“Ajo që po ndodh këtu me mungesën e tolerancës fetare, racore, vrasjet etj. është një lëmsh i vërtetë. E gjithë kjo nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve demografike dhe ekonomike në vend....”

Qeveria ruse thotë se plani i saj mund të ndihmojë në rritjen e popullsisë në 143 milion deri në vitin 2015. Por që kjo të ndodhë, ekspertët thonë se Rusia duhet të rrisë numrin e lindjeve, të përmirësojë kushtet për mbijetesën e foshnjeve dhe të reduktojë vdekjet e tyre, si dhe të tërheqë punonjës të huaj për të kthyer prirjen e rënies së popullsisë.

XS
SM
MD
LG