Lidhje

Replika mes kryeministrisë dhe kreut të PS


Kryeministria dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili pritet të emërohet kryeministër në shtator pas fitores së zgjedhje parlamentare dy javë më parë, po shkëmbejnë replika këto ditë lidhur me disa vendime të fundit të qeverisë Berisha, ende në detyrë. Përmes zyrës së shtypit, qeveria deklaroi se, sipas kushtetutës, parlamenti i ri nuk mund të mblidhet para datës 7 shtator dhe se të gjitha vendimet e qeverisë janë dhe do të jenë në përputhje me programin e saj të mandatit që ushtron dhe të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Deklarata thekson se mandati i qeverisë së re nis ditën që betohet në parlament kryeministri i ri, dhe deri në atë datë Kushtetuta me disa nene të saj njeh dhe mbështet qeverinë ekzistuese. “Kjo qeveri ka mandat të plotë kushtetues për të zbatuar programin, për të cilin është votuar deri në ditën e fillimit të mandatit të shumicës së re, - theksohet në deklaratën e kryeministrisë, - por antikushtetuese dhe dëshmi e revanshit janë sulmet, kërcënimet e zotit Rama ndaj institucioneve të vendit”.
Kryeministria e quan antikushtetuese idenë e socialistëve për qeveri kujdestare, koncept që, sipas saj, nuk e njeh as Kushtetuta e Shqipërisë dhe as e ndonjë vendi tjetër në Europë. “Kryeministri - thuhet në deklaratë - i kërkon zotit Rama të heqë dorë nga kërcënimet dhe sulmet ndaj institucioneve kushtetuese dhe siguron qytetarët se institucionet e vendit nuk mund të pengohen dhe se qeveria në detyrë do të vazhdojë të përmbushë normalisht detyrimet e veta kushtetuese”.
Komentet e sotme të qeverisë pasuan thirrjen që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u bëri qeverisë dhe kryeminstrit Berisha nga Asambleja Kombëtare që “të kalojnë në një fazë kujdestarie, pa marrë më tutje vendime në funksion të vizionit apo të programit, që u ndëshkua me votën e qytetarëve”.
Gjatë fjalës në Asamblenë Socialiste, zoti Rama tha se partneriteti publik-privat nuk do të ecë më me dhënie koncesionesh korruptive dhe propozime të pakërkuara, të cilat vazhdojnë edhe sot. Zoti Rama u bëri thirrje të gjitha subjekteve, që të mos bashkëpunojnë me këtë qeveri në detyrë, sepse nga shtatori qeverisja socialiste “do të jetë jashtëzakonisht e rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë aktuale që lidhet me periudhën pas zgjedhjeve të 23 qershorit”.
Zoti Rama tha se kjo qeveri, e ndëshkuar nga votat e 23 qershorit për të kaluar në opozitë, vazhdon punën sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe merr vendime mbi pasurinë e përbashkët të këtij populli. “Shqiptarët ndëshkuan këtë model qeverisjeje dhe këtë proces qeverisës të të djathtëve, i cili duhet të mos përsëritet më” - tha zoti Rama para asamblesë socialiste, duke premtuar edhe një model të ri komunikimi me qytetarët, me opozitën dhe me të gjitha grupet e interesit.
Replikat mes zotërinjve Berisha dhe Rama kthyen dyshimet e analistëve për acarrime. Ato erdhën pikërisht në kohën kur shumë vëzhgues po vlerësojnë mënyrën e qetë të përgatitjeve për një kalim të rregullt të pushtetit nga PD tek PS. Ndërkohë, dy kandidatët për kryetar të demokratëve në opozitë sapo nisën fushatat e tyre në degët partiake të qyteteve, deri në 22 korrik kur PD do të bëhet shpejt me një kryetar të ri sipas parimit një anëtar një votë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG