Lidhje

Susan Rice takohet me Presidentin afgan


Këshilltarja amerikane e Sigurisë Kombëtare Susan Rice i ka thënë presidentit afgan Hamid Karzai se Shtetet e Bashkuara do t’i tërheqin të gjitha trupat nga vendi i tij pas vitit 2014 në qoftë se ai nuk e nënshkruan menjëherë një marrëveshje sigurie.

Gjatë një takimi dje në Kabul, Presidenti Karzai i tha zonjës Rice se nuk do të tërhiqet nga refuzimi i tij për të nënshkruar marrëveshjen, duke zgjedhur t’ia lë këtë përgjegjësi pasardhësit të tij.

Në vend të kësaj, zoti Karzai shtroi kërkesa të reja, duke përfshirë garanci të mëtejshme se forcat amerikane nuk do të bastisin shtëpitë afgane dhe angazhim të Amerikës për të ndihmuar rifillimin e bisedimeve të ngecura me talebanët. Ai gjithashtu përsëriti kërkesën e tij që Shtetet e Bashkuara të angazhohen për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe transparente në Afganistan më 5 prill.

Takimi ndodhi ndërkohë që zonja Rice po vizitonte trupat amerikane në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit si këshilltare e sigurisë kombëtare e presidentit Barak Obama.
Të dielën, Presidenti Karzai injoroi një rekomandim të kuvendit të Afganistanit, i njohur si Loya Jirga, që menjëherë të nënshkruajë një marrëveshje të re dypalëshe të sigurisë me Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG