Lidhje

Human Rights Watch kundër robotëve vrasës

  • Selah Hennesy

Teknologjia është duke u përmirësuar me shpejtësi, veçanërisht përsa u përket të ashtuquajturave "sisteme autonome", të cilat kryejnë funksionet e tyre me pak ose aspak udhëzim nga njeriu. Në luftrat moderne, avionët e telekomanduar dhe mjete të tjera pa pilot janë duke luajtur një rol të madh, ndërkohë që ushtarakët thonë se këto teknologji e bëjnë luftën për ta më të sigurtë dhe më efektive. Por aktivistët e të drejtave të njeriut shqetësohen për të ardhmen – kur armë plotësisht autonome mund të zgjedhin dhe të sulmojnë objektiva pa ndërhyrjen e njeriut – dhe ata kërkojnë një traktat të ri global për të shmangur një gjë të tillë.

Një video e filmuar gjatë dhunës së fundit ndër-kufitare mes Izraelit dhe Gazës, tregon një raketë izraelite ndërsa i ndërpret trajektoren një rakete të nisur nga Gaza.

Raketa izraelite u lëshua nga sistemi Iron Dome. Ky raketahedhës ka ndjesorë që zbulojnë kërcënimet dhe dërgojnë informacionin tek një operator, i cili pastaj jep komandën për zjarr.

SHBA-ja mbështetet kryesisht në arsenalin e saj në rritje të automjeteve ajrore pa pilot.

Ata ofrojnë mbikëqyrje, identifikojnë objektiva si dhe mund të godasin në mënyrë vdekjeprurëse – por vetëm nëse një operator i jep komandat.

David Mepham, drejtori për Britaninë i organizatës Human Rights Watch, thotë se brenda pak dekadave përparimet teknologjike mund ta bëjnë njeriun të panevojshëm.

"Avionët pa pilot nuk janë armë plotësisht autonome. Ato përfshijnë ndërhyrjen e njeriut përsa i përket gjetjes së objektivit dhe vendimit për të goditur. Por, veçanërisht vitet e fundit, mospërfshirja e njeriut në operacione ka qenë një prirje në rritje tek ushtritë perëndimore dhe është vetëm disa hapa teknologjike larg realizimit. Pra, do të kemi sisteme armësh që nuk kanë nevojë për ndërhyrje nga njerëzit."

Modelet e para janë duke u prodhuar, thotë ai. Marina amerikane ka porositur avionin pa pilot X-47B, modeli i parë që mund të niset prej aeroplanmbajtëseve dhe që kryen misione autonome të programuara më parë.

Kjo makinë e ashtuquajtur "Qeni i Madh" mund të ndjekë ushtarët dhe marinsat në këmbë mbi një sërë terrenesh.

Është e paarmatosur, por organizata e të drejtave Human Rights Watch thotë se robotëve autonomë mund t’u jepet fuqi vdekjeprurëse.

"Një nga gjërat që na mban larg prej barbarizmit në kontekstin e luftës është dallimi mes luftëtarëve dhe civilëve. Dhe ne jemi të shqetësuar se armët robotike të së ardhmes mund të mos jenë në gjendje të dallojnë ndryshimin midis një fëmije që mban në dorë një akullore dhe dikujt që mban një armë."

Ushtria e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera thonë se nuk kanë plane për të hequr mbikëqyrjen e njeriut lidhur me vendimin për të përdorur forcën vdekjeprurëse, pavarësisht përparimeve në teknologji. Por Human Rights Watch thotë se nevojitet një traktat global për të siguruar që robotët të mos bëhen vrasësit e shekullit të 21-të.

Analisti i pavarur i sigurisë Hugo Rosemont thotë një diskutim publik është i nevojshëm në lidhje me teknologjinë e re dhe mbi rolin e saj, si në luftë dhe në paqe.

"Kemi nevojë për një diskutim publik rreth disa prej përdorimeve më të gjera, si administrimi i fatkeqësive dhe i ndihmave humanitare. Këto teknologji mund të vendosen në ato rrethana, ashtu siç edhe është bërë, dhe duhet të jenë pjesë e një diskutimi të gjerë rreth asaj që ne mendojmë mbi sistemet autonome."

Ai thotë robotët autonomë mund t’i shërbejnë njerëzimit edhe më shumë në vitet që vijnë. Franca dërgoi robotë të tillë të telekomanduar në Japoni, për të ndihmuar në përballjen e fatkeqësisë bërthamore në Fukushima vitin e kaluar – një punë që është mirë t’u lihet makinave.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG