Lidhje

Republikanët miratojnë platformën e tyre


republican logo
republican logo

Platforma thotë se republikanët në Kongres janë të angazhuar për shfuqizimin e Aktit të Kujdesit të Përballueshëm, i njohur si Obamacare

Republikanët kanë miratuar një platformë të partisë në kuvendin e tyre kombëtar në Tampa, Florida, që do të ndalojë të gjitha abortet dhe martesat e homoseksualëve dhe do të refuzojë shpenzimet federale si një mënyrë për të ndihmuar ekonominë e sëmurë dhe për të krijuar vende pune.

Platforma thotë se republikanët në Kongres janë të angazhuar për shfuqizimin e Aktit të Kujdesit të Përballueshëm, i njohur si Obamacare, duke shtuar se një president republikan do të "ndalë përparimin e aktit" dhe pastaj "do të nënshkruajë shfuqizimin e tij."

Platforma synon të trajtojë "rënien e gjatë dhe më të rëndë ekonomike që prej Depresionit të Madh", duke reformuar kodin tatimor për të ndihmuar bizneset e vogla dhe zgjatjen e afatit të paketave të viteve 2001 dhe 2003 për lehtësim të taksave, i njohur zakonisht si shkurtimet e taksave të Bushit. Platforma gjithashtu premton të reduktojë normën e taksave të korporatave për të "rafshuar nivelin në fushën ndërkombëtare të lojës së biznesit" dhe "të nxisë krijimin e vendeve të punës" në SHBA.

Përveç kësaj, Platforma miraton të drejtat e shteteve dhe qeverisë federale që të mos i njohin martesat mes të njëjtit seks.

Pjesa anti-abort në Platformë premton për të mbrojtur "shenjtërinë e jetës njerëzore" duke ndaluar të gjitha abortet. Por kandidati republikan Mitt Romney ka thënë se ai do të lejojë abortet në raste të dhunimit, incestit, ose kur jeta e nënës është e kërcënuar.

Për të theksuar këtë pikë, ish senatori i Pensilvanisë, Rick Santorum, një kundërshtar i zotit Romney gjatë garës për emërimin si kandidat, i tha të pranishmëve në Kuvend të martën se "Amerika ka ende një parti që zgjat duart me dashuri për shpëtuar të gjithë fëmijët e Perëndisë, të lindur dhe të palindur ".

Të dyja Partitë, Republikane e Demokrate, miratojnë platforma në kuvendet e tyre kombëtare që mbahen çdo katër vjet
XS
SM
MD
LG