Lidhje

Obama, kërkesë Kongresit të shtyjë votimin për goditje kundër Sirisë


Presidenti amerikan Barak Obama i ka kërkuar Kongresit të vonojë votimin rreth një goditjeje të mundshme ushtarake në Siri pasi sirianët ranë dakord të heqin dorë nga armët kimike.

Qeveria e Damaskut thotë se do të japë informacione për stoqet e saj kimike dhe do të nënshkruajë një traktat ndërkombëtar që ndalon armë të tilla. Siria thotë gjithashtu se është e gatshme të bjerë dakord rreth një plani të Rusisë për të vënë armët kimike nën kontrollin ndërkombëtar, ku ato do të asgjësoheshin.

Sekretari i Shtetit John Kerry thotë se Shtetet e Bashkuara do ta shqyrtojnë me hollësi planin rus, por shtoi se ky plan duhet të jetë i verifikueshëm dhe duhet të zbatohet shpejt. Zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mashtrohen nga ato që ai i quajti taktika zvarritjesh nga Siria apo nga aleati më i madh i saj, Rusia.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara anuloi një takim të ngutshëm për Sirinë që ishte planifikuar për të martën pasdite. Por presidenti Obama nuk i ka ndryshuar planet për të folur të martën mbrëma para popullit amerikan mbi krizën siriane.
XS
SM
MD
LG