Lidhje

Obama takohet me familjet e viktimave në Njutaun


Presidenti i Shteteve të Bashuara, Barak Obama, është zotuar se do të përdorë gjithë pushtetin e tij që tragjedi të tilla si ajo e të premtes që u mori jetën 20 fëmijëve dhe 6 të riturve në një shkollë fillore të mos përsëriten më.

Zoti Obama u takua mbrëmë me njerëzit në zi në qytetin verilindor Njutaun të Kënektikatit, ku një person i armatosur vrau 26 vetë. Ai u tha njerëzve të mbledhur për një ceremoni mortore se at nuk janë vetëm në dëshpërimin e tyre. Ai tha se njerëzit në gjithë vendin mbajnë zi sëbashku me ta.

Presidenti tha se shumë pyetje janë ngritur në mbarë vendin pas këtyre të shtënave në masë dhe ai vuri në dukje se ky është incidenti i katërt i këtij lloi që kur ai filloi mandatin e tij të parë të presidencës katër vjet më parë.

"Ne nuk mund ta tolerojmç këtë më gjatë. Këto tragjedi duhet të marrin fund dhe për t’u dhënë fund atyre ne duhet të ndryshojmë. Ne do të na thuhet se shkaqet e një dhune të tillë janë komplekse dhe kjo është e vërtetë. Asnjë ligj, asnjë grup ligjesh nuk mund tha eliminojë ligësinë nga bota dhe të parandalojë çdo akt dhune në shoqërinë tonë. Por kjo nuk duhet të shërbejë si justifikim për të mos vepruar”.

Më herët po mbrëmë, presidenti u takua privatisht me familjet e atyre që humbën të dashurit në shkollën fillore Sendi Huk dhe falenderoi ata që iu përgjigjen të parët kësaj tragjedie.

Ndërkohë, policia e shtetit Connecticut tha se lista e fëmijëve që u vranë përfshin emrat e 12 vajzave dhe të 8 djemve - të gjithë nxënës në klasën e parë, të moshës 6 ose 7 vjeçare. Të gjashtë të rriturit ishin femra.

Dhimbja është e dukshme kudo. Gjatë natës, njerëzit qëndruan së bashku në momente lutjesh, të heshtur e të mbytur në lot. Edhe emisioni televiziv Saturday Night Live nderoi viktimat.

Robbie Parke, babai i një prej viktimave, përshkroi herën e fundit që ai pa vajzën e tij, Emile.

"Ajo më tha “Të dua fort”, unë pastaj e putha dhe dola nga shtëpia."

Emile ishte vetëm një prej 20 fëmijëve viktima të sulmit. Të gjithë ishin nxënës në klasën e parë, gjashtë ose shtatë vjeç.

Të vrarë mbetën gjithashtu gjashtë të rritura. Midis tyre Victoria Soto, mësuesja 27 vjeçare, që duket të ketë humbur jetën ndërsa përpiqej për të fshehur dhe për të shpëtuar nxënësit e saj, drejtoresha e shkollës si dhe
psikologia. Të dyja të martuara dhe me fëmijë.

"Drejtoresha e shkollës po vraponte drejt personit të armatosur për të mbrojtur nxënësit e saj. Ashtu si edhe psikologia."

Detaje të zymta nga mjeku ligjor shkaktuan një tjetër tronditje për komunitetin. Ai tha se disa fëmijë ishin qëlluar më shumë se 11 herë.

''Është ndoshta rasti më i rëndë që kam parë''

Detaje të reja vazhdojnë të mësohen edhe mbi 20-vjeçarin Adam Lanza, personin e armatosur rëndë që u fut në shkollë me forcë, duke thyer xhamin në hyrje të ndërtesës. Sipas tetos së tij, Marsha Lanza, Adami kishte qenë nxënës në shkollën fillore Sandy Hook dhe nëna e tij punonte atje si asistente.

''Ajo më kishte thënë se filloi t’i jepte atij mësim në shtëpi pasi kishte patur probleme me shkollën, por nuk jam 100 për qind e sigurt për detajet.''

Babai i Adam Lanza-s publikoi një deklaratë, ku thuhej:

“Nuk ka fjalë që mund të shprehin dhimbjen tonë. Nuk arrijmë ta besojmë atë që ndodhi dhe po përpiqemi të gjejmë çdo përgjigje që mundemi.”

Por për të mbijetuarit do të mbetet vetëm kujtimi i një dite dhimbjeje dhe imazhesh terrori. Ben Paley, një dëshmitar 9-vjeçar:

''Mësuesja ime shpëtoi një jetë, dhe ajo gjithashtu telefonoi burrin e saj, i cili njoftoi policinë.''

.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG