Lidhje

Shoqatë për mbrojtjen e vajzave nga sulme seksuale


Pamjet e xhiruara nga një kamera sigurie ku është kapur momenti i rrëmbimit të një vajze 11 vjeçare, e nxitën Dallas Jessup të hidhej në veprim për të ndihmuar në parandalimin e dhunës seksuale ndaj vajzave. Ajo ishte 13 vjeçe kur themeloi shoqatën jofitimprurëse Just Yell Fire, që u mëson vajzave forma rezistence ndaj dhunës. Shoqata si dhe Dallas janë rritur në shtatë vjetët e fundit. Në vazhdim ju njohim më në hollësi me misionin e saj bamirës:

Dallas Jessup realizoi në vitin 2006 videon Just Yell Fire, ku u mëson vajzave si të vetë-mbrohen. Vjet ajo realizoi një video tjetër për vajzat universitare, ku përqendrohet tek rreziku në mjediset universitare dhe mënyrat për të shmangur dhunë seksuale apo abuzim të formave të tjera.

“Çdo vajzë kudo në botë mund të ndjekë për një orë një video që të mëson si të dalësh nga një situatë e rrezikshme”.

Mënyra për të shpëtuar nga situata, shpjegon Dallas, nuk është të qëndrosh e të përpiqesh të luftosh, por të përpiqesh ta bllokosh për pak sekonda sulmuesin, në mënyrë që të arrish t’i shpëtosh nga duart. Ajo i këshillon vajzat ta kafshojnë sulmuesin, ta shpojnë në sy, ose të thërrasin me zë të lartë se ka rënë zjarri. Ajo shpjegon se njerëzit nuk ua vënë veshin thirrjeve për ndihmë dhe shpesh ndihen të pafuqishëm të ndërhyjnë kur dikush thërret se po përdhunohet.

Vetë Dallas Jessup ka rripin e zi në Tae Kwon Do. Ajo thotë se dy videot mishërojnë misionon e shoqatës: ndihmë për të fuqizuar vajzat:

“Shkojmë në shkolla, streha për vajza të keqtrajtuara për t’u ofruar këshilla direkte, në mënyrë që vajzat të kuptojnë teknikat që u sugjerojmë dhe të dinë si t’i zbatojnë në jetë”.

Për të përhapur mesazhin e shoqatës, Dallas po përgatit një grup trajnuesish:

“Sjellim aktivistë të komuniteteve, të cilët diplomohen pasi ndjekin kursin e shoqatës, në mënyrë që ata të vazhdojnë punën në komunitete dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e vajzave”.

Shoqata është tani e pranishme në 65 vende. Dallas Jessup, e cila po ndjek studimet në Universitetin Vanderbilt ishte vjet në Indi, ku kaloi dy javë duke folur para studentëve për metodat e luftës kundër trafikut njerëzor.

Ajo ka dhënë dëshmi në Kongres dhe përpjekjet e saj janë vlerësuar nga një numër shoqatash.

Kohët e fundit asaj iu akordua çmimi World of Children, për punën për ndryshime sociale, në ndihmë të fëmijëve më të rrezikuar.

Për më shumë informacion mbi mënyrat për të shpëtuar nga rrethana të rrezikshme dhe për të parë videot e shoqatës, vizitoni faqen elektronike justyellfire.com.

XS
SM
MD
LG