Lidhje

Vuçiç për vrasjen e vëllezërve Bytyçi


Kryeministri i Serbisë, në prag të vizitës në SHBA, kërkon ndriçimin e vrasjes së tre shtetasve amerikanë me prejardhje shqiptare

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten në Beograd se ka kërkuar nga shefi i Komisionit për hetimin e vrasjes së gazetarëve, Veran Matiç, të përfshihet në hetimet që kanë të bëjnë me vrasjen e tre shtetasve amerikan me prejardhje nga Kosova në vitin 1999.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në përfundim të luftës në Kosovë, ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Kryeministrit serb, tha të premten se rasti i vëllezërve Bytyçi është një nga “çështjet e hapura që vazhdon të rëndojë marrëdhëniet amerikano-serbe”.

Do të ishte mirë që çështja të zgjidhet, por vështirë që mund të bëhet para shkuarjes sime në Shtetet e Bashkuara”, tha ai. Kryeministri serb do të udhëtojë për në Washington më 1 qershor me ftesë të nënpresidentit amerikan Joe Biden.

Në tetor të vitit 2013, ligjvënësit amerikanë Eliot Engel dhe Michael Grimm paraqitën në Kongres një rezolutë me të cilën kërkohej që Beogradi të ndjekë autorët e vrasjes, duke nënvizuar se përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, apo mungesa e tij, duhet të jetë faktor thelbësor në vendosjen e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Që nga viti 2006, janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Byrtyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë. Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

Sandra Orloviç, nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd, shkruan se dëshmitë flasin që vrasja e vëllezërve Bytyçi është urdhëruar nga qarqe të larta të qeverisë jugosllave dhe nëpërmjet Goran Radosaljeviçit, i njohur me nofkën Guri, një ish gjeneral i policisë serbe. Aktualisht ai është në Këshillin Drejtues të Partisë Përparimtare serbe të kryeministrit Vuçiç.

Zonja Orloviç, e angazhuar në rastin e vëllezërve Bytyçi, shkruan se as Guri e as shefi aktual i Shtatmadhorisë serbe Lubisha Dikoviç, i dyshuar për krime lufte në Kosovë, nuk janë hetuar si duhet nga autoritetet. Pozitat aktuale u ofrojnë atyre mundësi që të bllokojnë hetimet.

Për shembull në një kabllogram diplomatik, që ka rrjedhur në opinion, shfaqet shqetësimi se Goran Radosavleviç frikëson dëshmitarët dhe ndërhynë në rastin Bytyçi”, shkruan ajo duke nënvizuar se kryeministri serb nuk duhet të ofrojë strehë për personat që kanë lidhje të qarta me krime masive të luftës si Lubisha Dikoviç and Goran Radosavleviç.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG