Lidhje

SHBA: Aktivistët përpiqen të sigurojnë të drejtën për avokat në çështje civile


SHBA: Aktivistët përpiqen të sigurojnë të drejtën për avokat në çështje civile
SHBA: Aktivistët përpiqen të sigurojnë të drejtën për avokat në çështje civile

Personat që akuzohen për vepra penale në Shtetet e Bashkuara kanë të drejtën kushtetuese për të marrë avokat mbrojtës, të paguar nga qeveria, nëse nuk arrijnë të paguajnë vetë një avokat. Aktivistët e të drejtave për të varfrit kërkojnë që kjo e drejtë të mos mbulojë vetëm rastet e veprave penale, por edhe çështje gjyqësore civile:

Çdo vit, miliona çështje civile në Shtetet e Bashkuara zgjidhen në gjykata civile, qoftë për kujdestarinë e fëmijëve, dëbim nga banesa apo çështje të tjera.

Një rast i tillë ishte ai i Juliana Holmes në Baltimorë të Merilendit. Ish-bashkëshorti i saj mori 3 fëmijët e çiftit dhe u vendos në një shtet tjetër. Juliana nuk kishte para për të paguar avokat për t’i marrë fëmijët.

“I dërgoi fëmijët në Karolinën e Veriut, prandaj m’u desh të shkoja edhe unë të vendosesha pranë fëmijëve”.

Më pas Juliana arriti të sigurojë të drejtën e kujdestarisë për fëmijët me ndihmën e një shoqate të quajtur Maryland Legal Aid, e cila i ofroi avokat falas.

Trish Cochran ishte avokatja e saj. Ajo përfaqëson një prirje në rritje mes gjykatësve dhe avokatëve që mendojnë se e drejta për përfaqësim ligjor është kritike edhe në çështje civile dhe duhet të njihet si e drejtë bazë në Shtetet e Bashkuara. Për momentin nuk ekziston një e drejtë e tillë:

“Njerëzit kanë të drejtë kushtetuese të kenë në kujdestari fëmijët; kanë të drejtë të kenë një vend për të jetuar dhe të kenë qasje tek burimet që ekzistojnë. Por shpesh njerëzit nuk kanë njohuritë e nevojshme për t’i realizuar këto”.

Avokatët që ofrojnë ndihmë ligjore thonë se miliona njerëz paraqesin argumentat e tyre vetë në gjyqet civile, pa pasur njohuri apo përvojë…

… njerëz si Daniel Thurston dhe e shoqja. Ata kanë një djalë 5-vjeçar handikapad, por ishin në rrezik të dëboheshin nga banesa nëse nuk siguronin një shtyrje të procesit në gjykatë civile.

“Të shkosh në gjyq e të shpenzosh para që nuk i ke për të paguar avokatin kur nuk paguan dot as qeranë, si i bëhet?”

Aktivistja Deborah Gardner shpreson që ata miliona amerikanë si Daniel Thurston të kenë një ditë të drejtën për përfaqësim ligjor në çështje civile. Ajo thotë se pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara kanë vënë në zbatim të drejtën për avokat civil, duke i lënë pas Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim.

“Është irrituese që një vend që kërkon të bëhet udhëheqës botëror, ka mbetur prapa në diçka kaq të rëndësishme sa mbrojtja e të lirive civile bazë, të drejtave bazë në procedurat ligjore”.

Kundërshtarët thonë se një hap i tillë do të rëndonte më tej një sistem të mbingarkuar gjyqësor. Por studimet flasin për përfitime afat-gjata, si ulje e shpenzimeve për operacione të forcave të rendit, strehim, kujdes shtetëror për fëmijët dhe kujdes shëndetësor. Ka edhe përfitime të tjera që s’kanë vlerë monetare:

“Nuk arrin dot të falenderosh si duhet dikë që të ka ndihmuar të marrësh atë që është vërtetë e vlefshme në jetë, pasi fëmijët vlejnë më tepër se puna apo paraja. Nuk ka çmim që t’i paguajë”.

Beteja për të drejtën e avokatit mbrojtës në çështje civile po zhvillohet në organet legjislative shtetërore në të gjithë vendin. Kalifornia, Masaçusetsi dhe Merilandi janë disa nga shtetet që po studiojnë programe pilot për të provuar këtë ide.

Daniel Thurston e fitoi çështjen civile me ndihmën e një programi të tillë. Tani ai së bashku me familjen kanë një vend ku të jetojnë, së paku për momentin.


XS
SM
MD
LG