Lidhje

SHBA: Gara presidenciale në një pushim dyjavor deri në 28 shkurt


SHBA: Gara presidenciale në një pushim dyjavor deri në 28 shkurt
SHBA: Gara presidenciale në një pushim dyjavor deri në 28 shkurt

Në politikën presidenciale amerikane, republikanët që konkurrojnë në garën për të fituar emërimin e partisë së tyre janë në një pushim dyjavor deri në votimet e 28 shkurtit në Miçigan dhe Arizonë. Në garën republikane kanë mbetur katër kandidatë por anketat tregojnë se dy rivalët kryesorë janë ish guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney dhe ish senatori i Pensilvanisë, Rick Santorum.

Mitt Romney fitoi garën e fundit në shtetin Maine ndaj kongresmenit Ron Paul të Texasit.

Ai fitoi edhe një votim provë mes aktivistëve konservatorë në Uashington ku reklamoi arritjet e tij si konservator në një shtet me prirje liberale si Massachusetts.

“M’u desha të luftoja në një shtet thellësisht demokrat, por mbeta një guvernator fund e krye republikan,” deklaroi Romney.

Zoti Romney po e kërkon me forcë mbështetjen e konservatorëve për shkak të sfidës nga ish senatori i Pensilvanisë, Rick Santorum.

Në të vërtetë, konservatorët socialë po mbështesin mjaft zotin Santorum pas fitoreve që ai arriti kohët e fundit në tre shtete.

Santorum nga ana e tij bëri reklamën e vet mes republikanëve në takimin e Uashingtonit.

“Do të duhen ide, vizion dhe arritje që të bëjmë kontrastin me politikat e dështuara të Barak Obamës. Kështu fitohet!”

Edhe ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich kërkoi mbështetje në konferencën e konservatorëve. Ai kritikoi kandidatët që sipas tij vijnë nga politika e vjetër, një aluzion i hapur ky për zotin Romney.

“Ata nuk kanë forcën dhe angazhimin e duhur, nuk kanë filozofinë e nevojshm,e për të ndërtuar shumicën.”

Zoti Romney vazhdon luftën e vështirë për të mposhtur disa konservatorë, thotë analisti John Fortier, pranë qendrës së politikave dypartiake.

“Mendoj se ai vuan nga mungesa e entusiazmit ndaj tij por nuk më duhet se shumica e konservatorëve të bazës e mendojnë atë si një kandidat të keq. Ata ende po studiojnë alternativat dhe kanë preferencat e tyre.”

Sipas analistit Fortier, argumenti më i fortë i zotit Romney mbetet se ai i plotëson më shumë kushtet për t’u zgjedhur.

“Republikanët kanë disa diferenca por pajtohen në një pikë: se ata do të dëshironin që Obama të mos rizgjidhej dhe ky është një faktor shumë më unifikues në garat e ardhshme të tyre.”

Kandidatët po përgatiten tani për raundin tjetër të garave në fund të muajit si dhe për super të martën, 6 marsin, kur do të zhvillohen 10 gara të tjera në të njëjtën ditë.

XS
SM
MD
LG