Lidhje

SHBA: Kandidatët e mundshëm republikanë për në zgjedhjet e 2012-tës


SHBA: Kandidatët e mundshëm republikanë për në zgjedhjet e 2012-tës
SHBA: Kandidatët e mundshëm republikanë për në zgjedhjet e 2012-tës

Kalojmë tani në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, e cila gjatë javës së fundit përjetoi disa të papritura për republikanët, që shpresojnë t’i bëjnë sfidë Presidentit Barak Obama në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Dy republikanë të njohur, ish guvernatori i shtetit Arkansa Mike Huckabee dhe biznesmeni i New York Donald Trump, vendosën të mos vënë kandidaturën, duke krijuar shumë pikpyetje se kush do të kandidojë për emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit 2012. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell hollësi.

Donald Trump tërhoqi vemendje të madhe para se të vendoste të më 16 maj për të mos kandiduar. Por ndikimi më i madh mes kandidatëvve të mundshëm republikanë deri tani është vendimi i zotit Mike Huckabee për të mos kandiduar megjithë faktin se ai ishte kandidati më i preferuar, në bazë të shumicës së anketave të opinionit. Zoti Huckabee shpjegoi vendimin e tij në programin televiziv, Fox News Sunday.

“Mendoj se thellë në karakterin tim, diçka më tha se nuk është koha e duhur dhe nuk është thënë për t’u bërë. Ndoshta është mungesë e përgatitjeve të hollësishme, por sidoqoftë, nuk do të kandidoj këtë herë”.

Tani që zoti Huckabee dhe zoti Trump vendosën të mos kandidojnë, disa republikanë po e kthejnë vemendjen tek ish guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney. Ai nuk ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, por po grumbullon shuma të mëdha parash dhe, sipas shumicës së anketave të opinionit, është në krye të kandidatëve të mundshëm republikanë.

Megjithatë, zoti Romney po kritikohet ashpër nga konservatorët lidhur me planin për reformimin e kujdesit shëndetsor në Massachusetts, të cilin ai miratoi kur ishte guvernator dhe që u bë model për planin e presidentit Obama për kujdesin shëndetsor në gjithë vendin, i cili u miratua nga Kongresi vitin e kaluar.

Zoti Romney nuk është i vetmi kandidat i mundshëm që përballet me sfida të ngjashme. Ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, por vazhdon të përballet me pikëpyetje rreth dy divorceve dhe një historie me veprime jo të moralshme, çështje këto shqetësuese për konservatorët e çështjeve sociale, një bllok ky i rëndësishëm i Partisë Republikane. Ja si u shpreh zoti Gingrich në programin Meet the Press të rrjetit televiziv NBC.

“Unë kam bërë gabime në jetë. Më është dashur t’i kërkoj Zotit që të më falë dhe të kthejë tek unë ndjenjën e ripajtimit, prandaj do t’u kërkoja votuesve të më shikojnë si një njeri që kam ndryshuar dhe kush jam sot”.

Kongresmeni i Teksasit, Ron Paul ka shpallur kandidaturën, ndërkohë që ish guvernatori i Minesotës Tim Pawlenty dhe ish senatori i Pensilvanisë Rick Santorum kanë ndërmarë gjithashtu hapa drejt hapjes së fushatës për në Shtëpinë e Bardhë.

Por sipas disa anketave të fundit të opinionit, republikanë janë të pakënaqur me kandidatët e deritanishëm presidencialë, madje do të dëshironin të shikonin kandidatë të tjerë, pasi ata mendojnë se gara për emërimin e kandidatit republikan këtë herë është më e hapur se sa ka qënë në shumë dekada. Peter Brown është studjues në Institutin e anketimeve pranë Universitetit Quinnipiac në Connecticut.

“Një gjë është shumë e qartë. Votuesit republikanë duan dikë që mund të fitojë ndaj Barak Obamës dhe kjo është një gjë e madhe për ta dhe pikërisht ky do të jetë një prej faktorëve që do të motivojë shumë republikanë në zgjedhjet e 2012-tës”.

Guvernatori i Indianës Mitch Daniels thotë se do të vendosë së shpejti nëse do të kandidojë. Po ashtu edhe anëtarja e Kongresit nga Minnesota, Michele Bachmann, e preferuar nga konservatorët rreth çështjeve sociale dhe përkrahëse e lëvizjes Tea Party, e cila kërkon një qeveri më të vogël.

Por analistët thonë se nuk është kurrë e lehtë që të kandidosh kundër një presidenti, veçanërisht një presidenti si Barak Obama, i cili ka provuar se është i aftë të mbledhë fonde dhe të bëjë fushatë. Stephen Wayne është profesor i çështjeve qeveritare në Universitetin Georgetown në Uashington.

“Kandidimi kundër një presidenti, në një kohë kur ekonomia po rimëkëmbet dhe një presidenti, që mund të grumbullojë shumë para dhe që nuk ka opozitë nga partia e tij, është një hap i madh herkulian dhe asnjë prej kandidatëve seriozë nuk do të donin të hynin në garë, nëse mund të presin edhe për 4 vjet të tjerë”.

Shumica e ekspertëve e shikojnë zotin Obama në një pozitë të favorshme për rizgjedhje, por kjo nuk është aspak e sigurtë. Ata thonë se rizgjedhja e presidentit Obama ka të ngjarë të varet tek vazhdimi i zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të punës dhe se një zbrapsje e papritur mund të ndryshojë me shpejtësi dinamikën e rrjedhës politike në fushatën zgjedhore të vitit 2012.

Ndërkohë disa republikanë shpresojnë të tërheqin në garë kandidatë të tjerë si për shembull, ish guvernatori i Floridës Jeb Bush dhe guvernatori i New Jersey Chris Christie. Por që të dy kanë thënë se nuk do të kandidojnë. Një republikane e njohur, e cila nuk ka dhënë shenja nëse do të kandidojë apo jo është ish guvernatorja e Alaskës, Sarah Palin, ish kandidatja për nën presidente në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

XS
SM
MD
LG