Lidhje

Pas komplotit iranian, autoritetet paralajmërojnë amerikanët


Pas komplotit iranian, autoritetet paralajmërojnë amerikanët
Pas komplotit iranian, autoritetet paralajmërojnë amerikanët

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha se komploti i dyshuar i mbështetur nga Irani për vrasjen e ambasadorit saudit në Shtetet e Bashkuara përbën "një shkallëzim të rrezikshëm" të mbështetjes nga Teherani të terrorizmit. Sekretarja Klinton i bëri këto komente sot një ditë pasi departamenti amerikan i drejtësisë ngriti akuza ndaj dy personave për këtë komplot. Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim për amerikanët në mbarë botën, që të tregohen të kujdesshëm për veprimet të mundshme anti-amerikane, pas zhvillimeve të 24 orëve të fundit.

Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim për amerikanët në mbarë botën, që të tregohen të kujdesshëm për veprimet të mundshme anti-amerikane, pas akuzave të ngritura ndaj dy iranianëve se me mbështetjen e Teheranit po hartonin plane për vrasjen e ambasadorit të Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Eric Holder bëri të njohur se dy iranianë janë akuzuar për komplot për vrasje me pagesë, me porosi të qarqeve të caktuara në qeverinë e Teheranit.

“Akt-akuza thotë se ky komplot u ideua, u mbështet dhe u drejtua nga Irani dhe se ai përbën një shkelje flagrante të ligjit amerikan dhe atij ndërkombëtar, përfshirë një konventë të veçantë, e cila mbron diplomatët”.

Në aktpadi thuhet se dy iranianët shpresonin të vrisnin ambasadorin saudit në Shtetet e Bashkuara, Adel al-Xhubeir, duke hedhur një bombë në një restorant në Washington. Zyrtarët amerikanë thonë se të dy të pandehurit kishin diskutuar edhe për komplote të tjera, me objektiv ambasadat saudite dhe izraelite në Washington.

Zyrtarët e identifikuan njërin nga të dyshuarit si Mansor Arbabsiar, me pashaportë iraniane dhe amerikane, i cili u arrestua në aeroportin Xhon F. Kenedi të Nju Jorkut muajin e kaluar. Autoritetet thanë se i dyshuari i dytë, Gholam Shakuri, është anëtar i forcave Kud në Iran, që janë pjesë e Gardës Revolucionare.

Shtetet e Bashkuara thonë se Garda Revolucionare është përfshirë në komplote në mbarë botën dhe se Gholam Shakuri vazhdon të jetë i lirë.

Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder tha se Mansor Arbabsiar e ka pranuar përfshirjen në komplot dhe ka dhënë informacione të vlefshme mbi rolin e qeverisë iraniane në planifikimin e komplotit.

“Përveçse i mbajnë përgjegjës këta individë për rolin e tyre në komplot, SHBA janë të përkushtuara për ta mbajtur edhe Iranin përgjegjës për veprimet e tij. “

Një zëdhënës i Presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad i mohoi këto akuza, duke i cilësuar ato të pabaza. Qeveria amerikane bëri të njohura sanksione të reja kundër dy të akuzuarve dhe ndaj iranianëve të tjerë për të cilët ajo thotë se kanë patur lidhje me komplotin.

“Në Iran janë në pushtet njerëz me mendje të çmendura dhe ky nuk është një lajm aspak i mirë.”

Patricl Clawson është ekspert për Iranin në Institutin e Politikave për Lindjen e Afërme në Washington.

“Në se është i vërtetë fakti që iraninët po kërkonin të gjenin vrasës në Meksikë kundër një zyrtari të shquar saudit, një numër më i madh qeverish në mbarë botën do t’i kushtojnë më tepër vëmendje kur zyrtarët amerikanë thonë se i duhet kushtuar më tepër rëndësi aktiviteve të paligjshme iraniane.”

Analistë të tjerë, si Anthony Cordesman i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se duhet kujdes.

“Ajo që dimë është se ky është një operacion ku është përfshirë të paktën një zyrtar i qeverisë iraniane. Mendoj se duhet të tregohemi pak të duruar. Është e thjeshtë të flasësh para fakteve, por kjo është njëkohësisht shumë e rrezikshme.”

Mansur Arbabasar u paraqit dje në një gjykatë të Manhatenit. Ai do të mbahet i izoluar dhe do t’I jepet një avokat publik.

XS
SM
MD
LG