Lidhje

SHBA: Largime nga Kisha Episkopale, betejë ligjore mbi pronat


Kisha Episkopale e Shteteve të Bashkuara, e krijuar pas revolucionit amerikan, historikisht ka qenë një fe për elitën, prej së cilës kanë dalë më tepër presidentë amerikanë se nga çdo besim tjetër i krishterë. Por anëtarësimi në të ka arritur tashmë një nivel të ulët rekord, pas polemikave mbi klerikë homoseksualë dhe pas mosmarrëveshjeve me grupime që shkëputeshin prej saj.
Në afërsi të kryeqytetit të vendit ndodhet një kishë ku George Washingtoni është lutur dhe ka shërbyer si anëtar i këshillit drejtues.

Kjo është kisha Falls Church. Ajo u krijua në vitin 1732, kur Kisha Episkopale ende nuk ishte formuar. Gjashtë vjet më parë, kongregacioni votoi pro ndarjes nga besimi episkopal dhe kjo solli mosmarrëveshje lidhur me pronësinë e kësaj ndërtese historike.

Vendimi erdhi pasi Gene Robinson, një homoseksual i deklaruar, u zgjodh peshkop episkopal.

Kisha Episkopale është pjesë e Bashkësisë botërore Anglikane. Dhe kongregacioni i Falls Church-it ishte një nga të shumtët që u nda prej Kishës Episkopale amerikane, duke u bashkuar me provincat anglikane më konservatore të Afrikës dhe Amerikës Latine.

I përndershmi John Yates thotë se kishte mospajtime të gjera mbi shkrimet e shenjta:

“Ne po vinim re një rritje të udhëheqjes së kishës nga njerëz që nuk besojnë më si besonim ne.”

Por nën drejtimin e peshkopes Katharine Jefferts Schori, Kisha Episkopale Kombëtare fitoi çështjen gjyqësore mbi pronësinë e ndërtesës. Dhe ky kongregacion ka tani kohë deri më 30 prill për t’u zhvendosur nga kisha e vjetër në sallën e tij të ri të lutjeve.

Por ka ende optimizëm. ...Dhe lutjet vazhdojnë çdo të dielë, edhe pse shumë klerikë mendojnë se nxjerrja nga godina është e padrejtë:

“Duke na mashtruar, na kanë bërë të besojmë se këto ndërtessa janë tonat.”

Kleriku Yates i thotë anëtarëve të kongregacionit se Zoti ka një plan për ta, ashtu si ai pati një plan për izraelitët e biblës.

Kleriku Roger Ferlo mëson priftërinj të ardhshëm në Seminarin Teologjik të Virxhinias, shkolla më e madhe fetare episkopale në Shtetet e Bashkuara.

Pjesëmarrja në Kishën Episkopale ka qenë në rënie qysh nga viti 1960, dhe këtë vit, për herë të parë, ka shkuar nën 2 milionë anëtarë. Por kleriku Ferlo thotë se ai ka besim që kisha do ta rimarrë veten:

“Ajo që më jepë shpresë, duke dhënë mësim në një vend si ky, është fakti që klasat janë plot dhe gjysma e studentëve të mi janë nën 35 vjeç.” Melanie Mullen u rrit duke shkuar në një kishë presbiteriane çdo të dielë, por më pas u zhvendos.

“Unë e kisha të vështirë të besoja se Zoti mund të mos pëlqente shokët apo shoqet e mia homoseksuale.”
Kjo është arsyeja që e solli këtu:

“Idea që Kisha Episkopale u përfshi në një skandal, duke mbrojtur të drejtat e homoseksualëve, më pëlqeu mua dhe shumë shokëve të mi.”

Pasi dëgjoi predikimin e priftit Yates, Sharon Knight beson se kongregacioni i saj do ta përballojë humbjen me sukses:

“Besimi ynë nuk është ndaj ndërtesave. Është ndaj Zotit.”

Është një çmim që shumë besimtar episkopalë thonë se do të paguajnë për t’u qëndruar besnikë ideve të tyre konservatore.

XS
SM
MD
LG