Lidhje

SHBA: Politika e shërbimit të homoseksualëve në ushtri


SHBA: Politika e shërbimit të homoseksualëve në ushtri
SHBA: Politika e shërbimit të homoseksualëve në ushtri

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts i kërkoi para disa ditësh Kongresit që t’i japë fund politikës së ndalimit të shërbimit të hapur të homoseksualëve në ushtri, pasi një komision i posaçëm i ngritur prej tij arriti në përfundimin se çdo pasojë negative e këtij ndryshimi do të ishte minimale dhe afatshkurtër. Studimi kishte si objektiv të analizonte ndikimin që do të kishte vënia në jetë e premtimit të Presidentit Barak Obama për t’i dhënë fund kësaj politike dhe të paraqisite rekomandime për realizimin e tij.

Raporti i komisionit, që u bë publik kohët e fundit thotë se 70 për qind e anëtarëve të ushtrisë u përgjigjën “pozitiv”, “i përzier” ose “asnjë efekt”, kur u pyetën lidhur me ndikimin e heqjes së ndalimit. Në raport pranohej se shqetësimet janë më të mëdha në Trupën e Marinsave, ku 58 përqind e tyre shprehën shqetësim për pasojat e mundshme negative të lejimit të shërbimit të hapur të homoseksualëve. Trupat në njësitë luftarake të ushtrisë dhe forcat speciale shprehën një nivel të ngjashëm shqetësimi.

Por raporti arrin në përfundimin se efekti i vërtetë do të jetë më i pakët nga sa besojnë skeptikët, pjesërisht sepse 90 për qind e trupave që thonë se kanë shërbyer në ushtri me homoseksualët thonë se ka pasur pak ose aspak pasoja tek efektiviteti i tyre. Po ashtu thuhet se ushtria është një organizatë e fortë që mund ta përballojë ndryshimin, edhe në kohë lufte.

Sekretari Gejts i mbështeti përfundimet e raportit gjatë një konference shtypi, duke thënë se për shumicën e trupave, ndryshimi i ligjit nuk do të shkaktonte pasojat traumatike që shumë vetë mendojnë. Por ai tha se për të ardhmen e afërt mund të sjellë disa shqetësime.

“Kjo mund të bëhet dhe duhet të bëhet pa shkaktuar rrezik serioz për gatishmërinë e ushtrisë. Megjithatë këto përfundime më bëjnë të besoj se duhet shumë kujdes dhe përgatitje për të shmangur një efekt të mundshëm të rrezikshëm tek shërbimi i atyre që janë në frontin e luftës”.

Sekretari Gejts tha se kryeushtarakët në Ushtri, Marinë, Forcën Ajrore dhe Trupën e Marinsave nuk janë aq shumë entuziastë për të hequr dorë nga kjo politikë dhe shtoi se shqetësimet e tyre duhen marrë parasysh. Krerët e degëve të ushtrisë pritet të dëshmojnë para një komisioni të senatit të premten.

Sekretari Gejts nuk tha se sa kohë do të duhej që të përgatiteshin forcat e armatosura për ndryshimin. Por ai tha se nëse Kongresi e ndryshon ligjin, departamenti i tij do të marrë masa ta zbatojë sa më shpejt që të mundet për ta bërë siç duhet. Gejts tha se Kongresi duhet të veprojë sepse një ndryshim i menjëhershëm i detyruar nga Gjykata do të ishte një skenar i dëmshëm dhe do të rëndonte moralin dhe gatishmërinë e ushtrisë, si edhe rolin e tyre në fushën e betejës.

Edhe oficeri më i lartë i ushtrisë amerikane Admiral Majkëll Mullen i mbështeti përfundimet e raportit. Ai tha se lejimi i ushtarëve homoseksualë për të shërbyer hapur, nëse bëhej siç duhet nuk do të ndikonte tek gatishmëria apo efektiviteti i ushtrisë.

“Sigurisht ka sfidat e veta, por ato mund të përballohen më mirë nëse e kemi vetë të drejtën që ta zbatojmë procesin”.

Admirali Mullen e mbështeti në shkurt synimin për t’i dhënë fund politikës që ndalonte homoseksualët të shërbenin hapur në ushtri.

Në raport, merren parasysh shqetësimet fetare dhe morale të disa trupave, por thuhet se këta pjesëtarë të ushtrisë duhet të respektojnë gjithashtu edhe këndvështrimin e homoseksualëve dhe atyre që nuk kanë problem me të. Po raporti merr parasysh shqetësimet mes etrupave për ndikimin e sjelljes së hapur homoseksuale. Por raporti arrin në përfundimin se rregulloret ushtarake për sjelljen janë të mjaftueshme për t’u dhënë mundësi komandantëve ta përballojnë një gjë të tillë. Po ashtu thotë se shqetësimet janë të ekzagjeruara dhe bien ndesh me përvojën e ushtrisë për integrimin e afrikano-amerikanëve pas Luftës së Dytë Botërore dhe rritjen e numrit dhe rolit të grave në forcat e armatosura në dekadat e fundit.

Admirali Mullen tha se kyçet për një zbatim të suksesshëm janë koha, udhëheqja dhe trainimi.

“Plani i zbatimit, mbështetet me forc nga e gjithë udhëheqja ushtarake, nëse ky ligj ndryshon. Tek plani i zbatimit merren masat për zbutjen e nivelit të rrezikshmërisë”.

Raporti rekomandon që të mos krijohen strehime, banja dhe dushe të veçanta për trupat homoseksuale, por thotë se komandantët duhet të jenë në gjendje të merren me shqetësime të veçanta. Po ashtu thotë se ushtria duhet ta bëjë të qartë se ngacmimi i homoseksualëve është i papranueshëm, ashtu si i çdo grupi tjetër.

XS
SM
MD
LG