Lidhje

Marrëdhëniet SHBA - Rusi


Që nga fillimi i mandatit të tij presidencial, Barack Obama e ka bërë të qartë se përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë është një çështje e rëndësishme e politikës së tij të jashtme. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës André de Nesnera nga Uashingtoni, marrëdhëniet mes të dy vendeve po keqësohen:

Politika e jashtme gjatë mandatit të parë të Presidentit Barack Obama synonte përmirësimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës, që kishin arritur një pikë të ulët gjatë viteve të fundit të administratës Bush.

Kjo politikë solli rezultate konkrete, siç ishte për shembull traktati për kontrollin e armëve strategjike. Moska po ashtu i lejoi forcat amerikane të kalojnë përmes Rusisë për në Afghanistan. Po ashtu, Rusia mbështeti në Kombet e Bashkuara vendosjen e sanksioneve më të forta ndaj Iranit, për shkak të programit bërthamor që mendohet se ka ai vend. Nga ana tij, Uashingtoni luajti një rol të rëndësishëm në pranimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Por tani, analistët thonë se marrëdhëniet mes të dy vendeve po përkeqësohen përsëri. Robert Legvold, profesor në Universitetin Columbia, thotë se marrëdhëniet me ulje-ngritje mes Uashingtonit dhe Moskës nuk janë diçka e re.

"Kështu ndodhi gjatë administratës së presidentit Clinton, pas zgjerimit të radhëve të NATO-s dhe me luftën e Kosovës gjatë vitit 1999. Në fund të administratës së presidentit Clinton marrëdhëniet mes të dy vendeve ishin në një pikë të ulët, nuk po arrihej ndonjë marrëveshje. Edhe sot po ndodh e njëjta gjë. Një situatë e ngjashme ishte edhe pas përparimit në marrëdhënie që u vu re gjatë administratës së presidentit Bush pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe pas vitit 2003, kur filloi lufta në Irak, deri në momentin kur filloi lufta e Rusisë me Gjeorgjinë në vitin 2008. Pastaj administrata Obama dhe presidenti Medvedev e ndryshuan përsëri situatën. Por tani jemi përsëri në një marrëdhënie të tensionuar dhe nuk po duket ndonjë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë".

Analistët thonë se një mosmarrëveshje madhore mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë është lufta në Siri. Uashingtoni do që presidenti sirian Bashar al-Assad të largohet nga pushteti, ndërsa Moska vazhdon ta mbështesë atë si politikisht në arenën ndërkombëtare, edhe duke e furnizuar me armë. Matthew Rojansky, drejtor në Institutin Kennan, të Qendrës Wilson, thotë se kundërshtimi i Rusisë shkon përtej çështjes së ndryshimit të regjimit.

"Këtu kemi të bëjmë me një çështje tjetër, si do të ishte gjendja pas largimit të Assadit? Le të supozojmë se ai do të largohet nga pushteti. Ç'ndodh pastaj? Ata shohin se ç'ndodhi me Egjiptin, me Libinë, me Irakun, me Afganistanin… Rusët nuk shohin në asnjë rast një situatë të favorshme, ku të kenë një mburojë nga rreziku i islamizmit, trafiku i armëve dhe përhapja e terroristëve xhihadistë; shumë prej tyre, ata mendojnë se do të vrasin rusë, në Kaukazin Verior p.sh., ose ndoshta rreth periudhës kur mbahen Lojrat Olimpike Dimërore të 2014-ës."

Shumë ekspertë thonë se shtypja nga presidenti Putin ndaj shoqërisë civile po ashtu është një tjetër faktor që ka patur ndikim negativ tek marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Çështje të tjera mosmarrëveshjesh janë mbrojtja nga raketat dhe azili i përkohshëm që Rusia i dha ish-kontraktorit amerikan të agjencive të zbulimit Edward Snowden, i cili kërkohet në SHBA nën akuzat për spiunazh.

Pjesërisht për shkak të këtij veprimi të Rusisë, Presidenti Obama anuloi një takim me Presidentin Putin në Moskë, që ishte plaanifikuar të kryhej para takimit të G-20-ës në Shën Petersburg në fillim të shtatorit. Studjuesi Rojansky thotë se vendimi i zotit Obama për këtë çështje ishte i gabuar.

"Presidenti Obama duket se mendon se meqë do të shkojë në takimin e G-20, që zhvillohet në Rusi, ai do të ketë rastin t’i japë dorën zotit Putin, por ai nuk e sheh të përshtatshme të shkojë në Moskë për një takim dy palësh me zotin Putin, meqë ky nuk ka dërguar ndonjë sinjal se është i gatshëm ose i interesuar për përparim, për ndonjë prej çështjeve që janë të rëndësishme për presidentin Obama. Kjo duket e përshtatshme nga këndvështrimi i Obamës ose edhe nga një këndvështrim objektiv. Por konteksti i vetëm në të cilin nuk ka kuptim refuzimi i takimit është ai i historikut të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Rusisë, kur mbyllja e kanaleve të komunikimit, sidomos në nivel të lartë, garanton dështimin në zgjidhjen e çështjeve dhe mundësinë e krizës në marrëdhënie".

Robert Legvold është i të njëjtit mendim.

"Rreziku qëndron se në këto rrethana, kur udhëheqësit e të dy vendeve nuk investojnë në përmirësimin e marrëdhënieve, në se ndodh një ngjarje tjetër, si ajo e luftës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, pra në se përsëritet ky skenar brenda hapësirës pas-sovjetike, rrezikon që situata të keqësohet së tepërmi".

Shumë ekspertë thonë se nuk është e qartë se kur do të përmirësohen marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës.
XS
SM
MD
LG