Lidhje

SHBA: Xhon Bejnër zotohet për t'i dhënë fund rutines se deritashme në Uashington


SHBA: Xhon Bejnër zotohet për t'i dhënë fund rutines se deritashme në Uashington
SHBA: Xhon Bejnër zotohet për t'i dhënë fund rutines se deritashme në Uashington

Të dy dhomat e Kongresit amerikan u mblodhën dje në Uashington për betimin e anëtarëve të tyre. Republikanët kanë tani shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një numër më të madh senatorësh, megjithëse shumicën e përbëjnë përsëri demokratët, një konfigurim i legjislaturës amerikane që premton se do të ndyshojë rrjedhën e zhvillimeve në Kongres. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sindi Shejn, na sjell hollësi për zhvillimet e djeshme, para se të fillojnë betejat e zjarrta legjislative.

Dhoma e re e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët zgjodhi Xhon Bejnër si kryetar të saj, duke zëvendësuar kështu kryetaren demokrate, Nenci Pellosi, me 241 vota pro dhe 173 kundër. 19 kongresistë votuan për ligjvënës të tjerë ose abstenuan. Zyrtarja e administrimit të votave, Lorein Miller njoftoi rezultatin.

"I nderuari Xhon Bejnër nga shteti i Ohajos ka marrë shumicën e votave dhe zgjidhet kështu Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të legjislaturës 112 të Kongresit".

Nenci Pellosi ishte gruaja e parë të mbajti postin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit në historinë e Shteteve të Bashkuara. Kryetarja e pakicës në Dhomë i dorezoi çekiçin e drunjtë zotit Bejnër.

"Dhe tani angazhohemi në simbolin e fortë të demokracisë amerikane, shkëmbimin paqësor dhe me respekt të pushtetit. I kaloj tani çekiçin, i cili është më i madh se shumica e çekiçëve këtu, por çekiçi i zgjedhjes së zotit Kryetar Bejnër. I dorëzoj tani çekiçin dhe besimin e shenjtë që e shoqëron atë Kryetarit të ri. Zoti të bekoftë Kryetar Bejnër”.

Dhoma e Përfaqësuesve ishte e mbushur me anëtarët e zgjedhur rishataz në Kongres, të shoqëruar në ditën e tyre të parë nga bashkëshortët, fëmijët, nipërit dhe mbesat, si dhe të afërm të tjerë. Kryetari i ri Bejnër përshëndeti të shoqen, dy vajzat dhe 10 nga 11 motrat dhe vëllezërit e tij, të cilët ndodheshin në sallë. Ai u përlot kur mbajti fjalimin e parë si Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

"Populli amerikan na ka besuar këtë detyrë të respektuar. Ai na kujton se sa të përkohëshme janë privilegjet për të shërbyer. Ai na kujton se gjithëka këtu është detyrimi jonë ndaj tij. Mes tyre edhe ky çekiç, të cilin e pranoj me gëzim dhe mirënjohje, duke qënë i ndërgjegjshëm se nuk jam gjë tjetër veçse kujdestari i tij. Mbi të gjitha kjo është Dhoma e Popullit”.

Republikanët fituan në zgjedhjet e mesmandatit presidencial në nëntor në gjithë vendin, gjë që solli ndarjen e qeverisë në Uashington. Kryetari Bejnër tha se votuesit shprehën qartë mesazhin se nuk janë të kënaqur me gjendjen e vendit.

"Ne jemi mbledhur sot këtu në një kohë sfidash të mëdha. Rreth një në dhjetë fqinjët tanë është në kërkim të punës. Kostoja e kujdesit shëndetësor është në rritje për familjet dhe bizneset e vogla. Shpenzimet janë tepër të mëdha dhe shumë shpejt borxhi që kemi to të eklipsojë gjithë ekonominë tonë. Legjislaturës së 112 do t’i duhet të punojë shumë dhe të marrë vendime të vështira. Nuk mund të vazhdojmë më kështu. Populli votoi për t’i dhënë fund rutinës së deritanishme dhe sot ne fillojmë të vënë në jetë udhëzimet e tij”.

Bejnër dhe Pellosi u zotuan se do të bashkëpunojnë duke i kapërcyer linjat partiake kurdoherë që të jetë e mundur. Por shumë nga ligjvënësit e rinj në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat janë republikanë me qendrime strikte fiskale që përkrahen nga aktivistë të lëvizjes Tea Party, të cilët mbështesin një rol shumë të kufizuar të qeverisë dhe uljen e taksave, dhe si të tillë mund të jenë tepër të rezervuar të bëjnë kompromis me demokratët.

Një nga çështjet kryesore në rendin e ditës të Dhomës së Përfaqësuesve është shkurtimi i shpenzimeve qeveritare, duke filluar me buxhtin e asaj vetë. Republikanët kanë thënë se do të votojnë javën e ardhëshme për prapësimin e reformës së kujdesit shëndetësor të nënshkruar nga Presidenti Obama. Kjo përpjekje ka të ngjarë të mos ketë sukses, pasi demokratët ende kanë shumicën në Senat.

Në Senat, kryetari i shumicës demokrate, Heri Rid, tha se do të vazhdojë me këmbëngulje zbatimin e synimit të Presidentit Obama për krijimin e vendeve të punës dhe për forcimin e bazave ekonomike. Por edhe zoti Rid do të ndeshë në kundërshtime të forta nga pakica e forcuar republikane në Senat.

XS
SM
MD
LG