Lidhje

SHBA: Shefi i Shtatmadhorisë thotë se ka ardhur koha për zbatimin e planit për Afganistanin


SHBA: Shefi i Shtatmadhorisë thotë se ka ardhur koha për zbatimin e planit për Afganistanin
SHBA: Shefi i Shtatmadhorisë thotë se ka ardhur koha për zbatimin e planit për Afganistanin

Ndërkohë që qeveria amerikane dhe ushtria përballen me kritika për mos arritjen e rezultateve dramatike në tetë muaj që nga njoftimi i strategjisë së presidentit, admirali Mike Mullen kaloi një pjesë të mirë të ditës duke bërë thirrje për durim, të paktën deri nga fundi i këtij viti. Ai u tha diplomatëve në ambasadën amerikane se ai dhe komandanti i ri amerikan dhe i NATO-s në Afganistan, gjenerali David Petraeus, kishin rënë dakord se është koha për të filluar zbatimin e planit.

Ne besojmë se është koha për vënien në jetë të planit dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe si ta bëjmë. Tani kemi forcën njerëzore dhe burimet e duhura. Tani jemi në pikën e zbatimit. Periudha gjatë 12 muajve të ardhëshëm do të jetë kritike për kthimin e këtij vendi në rrugë të duhur.

Një rishikim në muajin dhjetor do të përcaktojë nëse strategjia e dergimit të trupave shtesë dhe marrja nën kontroll e zonave civile të kontrolluara më parë nga talbanët, ka filluar të nxjerrë rezultate. Nga korriku i vitit të ardhëshëm, sipas presidentit Obama, ai do të fillojë atë që pritet të jetë një terheqje graduale etrupave amerikane. Admirali thotë se datat kryesore mund të arrihen dhe se ai ka siguruar çdo audiencë për të cilën ka folur gjatë këtij udhëtimi se Shtetet e Bashkuara nuk do të nxitojnë për rrugëdalje vitin tjetër.

Por me afrimin e afatit kohor të presidentit për fillimin e transferimit të përgjegjësive tek forcat afgane të sigurisë, admirali Mullen thotë se operacionet aktuale në Afganistanin lindor, të cilin e vizitoi të dielën dhe Afganistanin jugor, që do ta vizitojë sot, janë vendimtare për misionin e përgjithshëm. Ai thotë se qyteti kryesor jugor, Kandahari një bazë e fuqishme talebane, është në mënyrë të posaçme i rëndësishëm.

E kam krahasuar me kohën kur u zhvilluan kryengritjet në Bagdat dhe Irak para disa vitesh. Mendoj se Kandahari ka të njëjtin lloj ndikimi strategjik.

Pjesa e fundit e 30 mijë trupave amerikane shtesë të urdhëruara për dislokim në Afganistan nga presidenti Obama, pritet të arrijnë atje nga shtatori dhe shumë prej tyre do të vendosen në zonat e Kandaharit për të ndihmuar një operacion të zgjeruar i cili ka punuar për hedhjen e bazave për marrjen e kontrollit të qytetit.

Por ajo që është pritur të jetë faza e dytë më e dhunëshme e operacioneve nuk është materializuar ende, pjesërisht në pritje për trupat shtesë dhe pjesërisht për të ofruar më shumë kohë për të punuar me udhëheqjen lokale për të siguruar mbështetjen e tyre për planin.

Diplomati kryesor i NATO-s në Afganistan, ambasadori Mark Sedwell, thotë se faza e dytë nuk do të përfshijë operacione madhore ushtarake në qytetin e Kadaharit.

Në thelb, është një aksion policor brenda qytetit dhe nuk do të ketë prezencë të madhe trupash. Por është përforcimi i pranisë dhe aftësive policore brenda qytetit. Kjo nënktupton shtimin e postoblloqeve, shtimin e numrit të policëve dhe veprime të tjera.

Zyrtarët thonë se rezultatet e përpjekjeve të tilla janë shumë më vështirë që të përcaktohen sesa përparimet ushtarake të cilat janë në një luftë ndryshe. Ambasadori Sedwell tha se tregues të mundëshëm të përparimeve përfshijnë gjëra të tilla si zhvillimet ekonomike, masa e besimit mes popullatës ndaj qeverisë së tyre dhe pjesmarrja në zgjedhjet parlamentare, të caktuara për në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG