Lidhje

Shërbimi pakistanez i zbulimit dhe lidhjet me talebanët


Shërbimi pakistanez i zbulimit dhe lidhjet me talebanët
Shërbimi pakistanez i zbulimit dhe lidhjet me talebanët

Debatet lidhur me Shërbimin pakistanez të Zbulimit, ISI, për shkak të akuzave nga Shtetet e Bashkuara për mbështetjen aktive që I jep kjo agjenci sulmeve ndaj objekteve amerikane në Afganistan, ende vazhdojnë. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Gary Thomas, Shtetet e Bashkuara janë në një farë mënyre përgjegjëse për fuqizimin e agjencisë.

Admirali Mike Mullen, ish-shefi i shtatmadhorisë amerikane, para se të largohej nga detyra, më 22 shtator, shkaktoi një stuhi të tërë reagimesh, kur akuzoi hapur Shërbimin Pakistanez të Zbulimit, ISI, se mbështet sulmet që bëhen ndaj objekteve amerikane në Afganistan. Admirali Mullen tha se Pakistani dhe shërbimi i tij i zbulimit po përdorin militantët si vegla për të ruajtur ndikimin e tyre në Afganistan.

“Duke shfrytëzuar ekstremizmin e dhunshëm si instrument për realizimin e politikave të tyre, qeveria e Pakistanit dhe në veçanti ushtria dhe zbulimi pakistanez, rrezikojnë jo vetëm perspektivën e partneritetit tonë, por edhe mundësinë që Pakistanit të jetë një vend i respektuar, me ndikim të ligjshëm rajonal.”

Por SHBA kanë një farë përgjegjësie, sepse janë ato që e kanë ndihmuar Shërbimin paksitanez të Zbulimit të fuqizohet, duke arritur shkallën e lartë të eskpertizës që ka sot.

Fillimisht agjencia ISI shfrytëzonte militantët islamikë për të mbështetur objektivat e saj politike në Afganistanin fqinj në vitet ’80, gjatë luftës kundër pushtimit sovjetik dhe e realizoi këtë përmes ndihmës aktive të CIA-s. Profesori Owen Sirrs i Universitetit të Montanës, i cili po shkruan një libër të ri mbi agjencinë pakistanze të zbulimit, thotë se CIA lejonte agjencinë pakistaneze të përcaktonte sasinë e parave, armëve, municioneve dhe ndihmave të tjera që do t’i jepeshin grupeve afgane që luftonin kundër forcave sovjetike.

“Ne pranuam që ISI do të ishte ndërmjetësi mes nesh dhe muxhahedinëve afganë kundër sovjetikëve. Me fjalë të tjera, ISI diktonte se ku do të shkonin armatimet, paratë dhe furnizimet e tjera ushtarake. Kjo e fuqizoi së tepërmi ISI-n, sepse ata merrnin vendimin se cilat grupe do ishin të fuqishmit e rinj të Afganistanit. Pra, ISI luajti një rol drejtues dhe ne e lejuam që kjo të ndodhte.”

Studjuesi Sirrs thotë se ISI mbështeti radikalët islamikë si Gulbudin Hekmatiar dhe Jalaludin Haqqani me shumicën e fondeve dhe armatimeve, duke ndërtuar lidhje që vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot dhe që tani po prekin marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Islamabadit. SHBA fajësojnë rrjetin Haqqani, tani aleat i talebanëve, për shumë nga sulmet ndaj SHBA dhe objekteve të tyre në Afganistan.

ISI u themelua në vitin 1948 nga një oficer britanik menjëherë pas luftës mes Indisë dhe Pakistanit, si një agjenci spiunazhi. Në atë kohë ajo ishte njëra prej disa agjencive rivale të zbulimit që vepronin në Pakistan dhe detyra e saj kryesore ishte të mos lejonte depërtimin indian në ushtrinë pakistaneze. Por fuqia e agjencisë ISI u shtua gradualisht. Qeveritë civile pakistaneze u përpoqën që ajo t’u shërbente atyre, si p.sh., për spiunimin e kundërshtarëve politikë. Por megjithëse zyrtarisht ISI përgjigjet para kryeministrit, në fakt agjencia varet nga ushtria, e cila e përdor atë si mjet, për të kontrolluar sundimin civil, që ushtria e konsideron si jo kompetent.

Ish-kryeministrja Benazir Buto, që e vranë, e cilësoi agjencinë ISI “një shtet brenda shtetit”, duke theksuar paaftësinë e qeverisë për të kontrolluar fuqinë e agjencisë së zbulimit. Analisti Sirrs thotë se një ish sundimtar ushtarak, gjenerali Zia ul-Haq ishte ai që filloi ta shfrytëzonte ISI-në si një instrument për veprimtari zbulimi.

Shumë analistë janë të mendimit se ISI pati rol në krijimin dhe mbështetjen e talebanëve kur ata erdhën në fuqi në Afganistan në vitet 1990. Komentet e admiralit Mullen lënë të kuptohet se agjencitë perëndimore të zbulimit mendojnë se lidhjet mes ISI-së dhe talebanëve, megjithëse këta të fundit tani nuk janë më në pushtet por janë kryengritës, vazhdojnë të jenë të forta. Pakistani vazhdimisht i mohon këto lidhje. Ja si u shpreh kryeministri pakistanez Jusuf Riza Gilani pas akuzave të admiralit Mullen:

“Akuzat nxjerrin në shesh konfuzionin që ekziston brenda insitucioneve amerikane dhe politikave lidhur me rrugën që do të ndiqet në Afgansitan… Ne i mohojmë me forcë akuzat për bashkëpunim me rrjetin Haqqani ose me grupe të tjera në Afganistan.”

Por profesorja Kristine Fair e Universitetit Georgetown, që studion prej vitesh çështjet e sigurisë dhe politikës së Afganistanit, thotë se marrëdhëniet e ISI me talebanët dhe grupet aleate ekzistojnë, por ato janë komplekse.

“Ka një sërë aktorësh brenda grupit taleban, ka rrjete të ndryshme që kryqëzohen me njera tjetrën dhe kanë lidhje me Hekmatiarin, Hakanin, lidhje pak a sshumë taktike, kur u intereson. Dhe të gjithë ata kanë mendime të ndryshme kur vjen fjala për pajtimin. Ata kanë marrëdhënie të ndryshme me ISI-n. Kam përshtypjen që ne kemi qënë të gabuar që nuk e kemi kuptuar se sa ka ndryshuar grupi taleban në 10 vjetët e fundit. Ata kanë ndryshuar, por mendimi ynë nuk ka ndryshuar”.

Studjuesi Owen Sirrs thotë se ISI i ndjek me kujdes negociatat e mundshme lidhur me pajtimin politik në Afganistan, sepse dëshiron të kontrollojë rezultatin e tyre.

“Mendoj se kur është fjala për talebanët afganë dhe negociatat me SHBA dhe qeverinë afgane në se ata janë të interesuar për to, shërbimi pakistanez i zbulimit qëndron prapa dhe thotë: “Mos shkoni shumë larg. Ne jemi ata që kontrollojnëinteresat tuaja përfundimtare. Ne duam të jemi pjesë e bisedimeve dhe në se ju negocioni një marrëveshje që nuk na pëlqen atëhere ISI dhe ushtria pakistaneze do t’ju largojnë nga kjo marrëveshje”.

Analistët thonë se 63 vjet pas krijimit, ISI dhe agjencitë e tjera pakistaneze të sigurisë, mbeten të përkushtuara në përpjekjen e tyre për të mos lejuar zgjerimin e ndikimit politik dhe eknomik të Indisë në rajon, përfshirë edhe në Afganistan.

XS
SM
MD
LG