Lidhje

Shkodër: masa disiplinore ndaj zyrtarëve të policisë


Zbulimi i 87 fidanëve të bimës narkotike cannabis sativa brenda një sere plastmasi në fshatin Guri i Zi, rreth 6 kilometra në afërsi të qytet të Shkodrës, ka çuar sot në ndëshkimin disiplinor të 5 drejtuesve të Komisariatit të Policisë së Shkodrës, mes të cilëve shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve dhe atij të Policimit në Komunitet.

Në njoftimin e saj, Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër bën të ditur se në lidhje me këtë ngjarje u arrestuan edhe dy banore të Njësisë Administrarive Guri i Zi, të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike si dhe po ndiqet penalisht në gjendje të lirë administratori i kësaj njësie së bashku me kryeplakun e fshatit Renc. Ata dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të moskallzimit të krimit.

Ky është rasti i dytë, brenda pak ditësh, i ndëshkimit të drejtuesve dhe punonjësve të policisë vendore për shkak të zbulimit të parcelave të mbjella me bimë narkotike. Javën e kaluar, pas zbulimit të një parcele në një fshat të rrethit Kurbin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako urdhëroi përjashtimin, shkarkimin dhe pezullimin nga detyra të disa punonjësve të Policisë së Shtetit në Lezhë dhe në Kurbin, kjo për shkak të një numër shkeljesh administrartive dhe disiplinore, që kanë lidhje me detyrat e tyre në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Në përpjekje për të frenuar përmasat në rritje të kultivimit të bimëve narkotike, fenomen ky që u vërejt kryesisht në vitin 2016, policia e shtetit ka hartuar një plan të ri veprimi për asgjësimin e drogës. Ky plan parashikon që, në të gjithë territorin të caktohen punonjës policie, të cilët do të jenë përgjegjës për zonat e tyre dhe që duhet të raportojnë nëse ka kultivim cannabisi. Gjithashtu, këta punonjës dhe familjarët e tyre do të deklarojnë se nuk do të përfshihen në kultivimin e drogës, në të kundërt edhe ata do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG