Lidhje

Shkollat e Tiranës festojnë 100 vjetorin e pavarësisë


Nxënësit dhe të rinjtë e shkollave të Tiranës po organizojnë këto ditë një mori takimesh kulturore për të nderuar rilindasit shqiptare dhe për të kujtuar e mbajtur gjallë traditat kombëtare.

Nxënës dhe mësues të shkollës 9-vjecare “Mihal Grameno” zhvilluan në parkun kombëtar një ekspozitë me kostume popullore nga të gjitha krahinat e vendit dhe një koncert me këngë e valle tradicionale. “Ne duhet që të mos i harrojmë traditat tona. Po mësojmë që ecim në gjurmët e prindërve dhe të parëve tanë. Kjo vevrpimtari është vetëm një pjesë e vogël e këtyre përpjekjeve” - thotë Esra, nxënëse e shkollës “Mihal Grameno”.

Pas shumë orë mësimesh dhe provimesh, për ta është një nga veprimtaritë e rralla kur janë aq pranë natyrës dhe kulturës shqiptare, ndonëse vallet dhe këngët i kanë përgatitur me shumë kujdes dhe dashuri.

100 vjetori i krijimit të shtetit dhe pavarësisë së Shqipërisë i ka frymëzuar edhe këta fëmijë që të lënë pak kohë mënjanë muzikën moderne që i rrethon dhe të këndojnë e të vallëzojnë një herë si prindërit dhe gjyshërit e tyre.

Mësuesit e tyre janë po aq entuziastë tani që, krahas dijeve shkencore, shohin tek nxënësit e tyre trashëgimin e kulturës shqiptare. “Është 100 vjetori i pavarësisë dhe këto veprimtari ne i bëjmë për Shqipërinë tonë. Duam që t’i bëjmë këto veprimtari shumë praktike, që nxënësit të mos dëgjojnë shabllone teorike “tradita, historia etj”. Fëmijët i kanë me shumë qejf këto veprimtari folklorike, marrin të gjithë pjesë dhe japin maksimumin e tyre” - thotë Meridiana Nepravishta, mësuese shkollës “Mihal Grameno, oragnizatore e festës.

Bashkë me “Mihal Gramenon”, veprimtari të ngjashme për kulturën shqiptare kanë zhvilluar edhe shkolla Ismail Qemali, Petro Nini Luarasi, shkolla “Kosova”, Hasan prishtina, shkolla Fan Noli, të cilat mbajnë edhe emra rilindasish dhe patriotësh të njohur.

XS
SM
MD
LG