Lidhje

Shqipëria shtyn ankandin e avionëve ushtarakë


Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi se do të shtyjë procesin e shitjes e avionëve të vjetër ushtarakë. Ministria ka në plan të shqyrtojë çmimin fillestar të ankandit, pas shtimit të interesit nga muzeumet dhe koleksionistët në disa vende të botës.

Disa avionë të vjetër ushtarak të tipit Mig, dikur krenaria e ushtrisë komuniste shqiptare, tani janë të tepërt në një bazë ushtarake në afërsi të Tiranës. Të mbuluar nga ndryshku, shumë prej tyre janë me dritare të thyera dhe goma të prishura, por për disa të tjerë, këta MIG ruajnë kujtime të rëndësishme.

Zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Vasil Jangari, tregon se janë disa modele të MIG.

“Janë 36 avionë ushtarakë dhe katër helikopterë. Janë të llojeve të ndryshme dhe përveç atyre luftarakë ka edhe nga ata që përdoreshin për trajnim.”

“Shumica e tyre janë avionë rusë, por të prodhuar në Kinë.”

Turistët, ngjiten në këto avionë për të bërë foto, ndërsa koleksionistët dhe tregtarët e metaleve kanë filluar të interesohen për ankandin.

Ministria e Mbrojtjes kishte planifikuar në shkurt një ankand të hapur, por ai u shty si rezultat i një interesdi të shtuar. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli sqaron:

“Na kushtojnë sepse nuk janë përdorur tash 30 vjet. Po shpenzojmë para vetëm për ruajtjen e tyre. Me shitjen e tyre, përmes një ankandi të hapur, mund të nxjerrim fitime që mund të përdoren për modernizimin e forcave tona të armatosura.”

Koleksionistët dhe muzeumet nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia kanë shprehur interes mbi ankandin. Për këtë arsye, Ministria i shtyu procedurat për të rishqyrtuar çmimet fillestare të hapjes së ankandit që fillimisht ishin caktuar mes vlerave 8 deri 14 mijë dollarë.

“Prandaj po shtyjmë procesin sepse kishte shumë kërkesa. Ishte e papritur për ne dhe nuk ishim në gjendje të menaxhonim dhe zgjidhnim të gjitha dokumentet që njerëzit po paraqesin për ankandin”, thotë zonja Kodheli.

Ushtria shqiptare do të shesë rreth 40 avionë dhe helikopterë rusë dhe kinezë të prodhuar në vitet 50-të, por që nuk janë përdorur për dhjetëra vite.

Pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria ka filluar të modernizojë armatimin. Sipas qeverisë shqiptare, mjetet ajrore luftarake nuk përputhen me standartet që ka NATO.

Ndërkohë, ushtria shqiptare ka hequr dorë nga makinat ushtarake të transportit, tanket, transportuesit e blinduar, kallashnikovët dhe municionet, kryesisht duke i shitur ato për skrap. Nga ana tjetër, disa nga ish pilotët thonë se do t’u vinte keq të shihnin që avionët të kishin të njëjtin fat. Një prej tyre është edhe Ilirjan Kola:

“Nuk duhet të shiten për skrap. Avionët mund të dërgohen në muzeume këtu apo jashtë vendit. Do të na krijohej mundësia për t’i vizituar. Kemi përshtypje dhe ndjenja shumë të mira. Ne do të ndiheshim shumë keq nëse shiten për skrap.”

Ankandi do të shërbejë si test për tregun, pas dështimit për shitjen e tyre nga qeveria e mëparshme në vitet 2012-2013. Nëse del me sukses, Shqipëria ka avionë dhe helikopterë të tjerë që mund të nxjerrë në shitje. Ministria e Mbrojtes thotë se ankandi do të zhvillohet këtë muaj por ende nuk është caktuar data.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG