Lidhje

Berisha do të kryesojë listën në Qarkun e Tiranës


Kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, bëri të ditur gjatë një konference në mbrëmje se ai do të kryesojë listën e deputetëve në qarkun e Tiranës, në vazhdim të një kurioziteti të publikut dhe një simbolike nëse drejtuesi i qeverisë dhe ai i opozitës do të kandidojnë në zona jashtë kryeqytetit. Nga ana tjetër, kryetari i PS të opozitës, Edi Rama, i ftuar në studiot e TV Klanit, tha se nuk e ka vendosur ende se ku do të kandidojë, por Vlora mund të ishte një nga zonat.

Edhe pse zyrtarisht fushata zgjedhore duhet të hapet pas 3 javësh në fakt dy partitë kryesore i kanë hapur fushatat e tyre para 3 muajsh, dhe po transmetojnë në media takime dhe fjalime të gjata politikanësh nga i gjithë vendi, të sigurtë se janë ende jashtë kufirit ligjor të monitorimit televiziv. Replikat në distancë mes drejtuesve të dy partive kryesore po vazhdojnë prej disa javësh, madje edhe tubimet ata po i organizojnë në të njëjtat orare, duke u mbivendosur në kohën televizive të njëri-tjetrit.

Edhe pse kanë ndërtuar aleanca me nga 25 dhe me nga 40 parti të ndryshme, të njohura të vogla apo të panjohura, si kryeministri Berisha dhe zoti Rama i opozitës akuzuan për minuta të tëra dy partitë e reja që vendosën të konkurrojnë të vetme si një alternativë e tretë, FRD dhe AK, duke i etiketuar si forca që bëjnë lojën e kundërshtarëve respektivë.

Listat proporcionale të kandidatëve për deputetë po zbulohen pjesë pjesë nga të dy palët, dhe kanë nisur reagimet e para nga opinioni publik dhe nga ata politikanë që rrezikojnë të mbeten jashtë garës, për shkak të mospërzgjedhjes nga kryesitë apo nga kryetarët. Pjesa ende e pazbuluar po pret me ankth dhe, sipas disa njoftimeve në media, krahas menaxhimit të fushatës, mund të jetë shumë i vështirë edhe menaxhimi i zemërimit të atyre deputetëve që do të mbeten jashtë konkurrimit për një mandat të ri.
XS
SM
MD
LG