Lidhje

Shqipëri: Rritje ekonomike në tre mujorin e dytë


Ekonomia sipas sektoreve
Ekonomia sipas sektoreve

Në Shqipëri ekonomia u rrit me 2,04 përqind në tremujorin e dytë të këtij viti. Shifrat u bënë publike nga Instituti i Statistikave. Aktiviteti ekonomik iu rikthye rritjes pasi ra me 0,2 përqind në tremujorin e parë të vitit. Posta, komunikacioni, industria, sherbimet dhe tregtia regjistruan një rritje, ndërsa ndërtimi sërish shënoi ritme negative duke rënë me 18 përqind. Një rënie prej 7 përqindësh shënoi edhe transporti. Qeveri shqiptare parashikon që ekonomia e vendit të rritet me 3 përqind në 2012, ndërsa fondi Monetare dhe Banka botërore parashikojnë një rritja nga 0,5 deri 1 përqind


Pasi për herë të dytë në fillim të këtij viti, ekonomia shënoi një rritje negative, që nga 2009 kur shenjat e krizës botërore filluan të ndjeheshin fort edhe në Shqipëri, tremujori i dytë regjistroi një rikthim në ritmet pozitive, ndonëse të ulta. Të dhënat e shpërndara nga Instituti i statistikave flasin për një rritje prej 2,04 përqind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë shënuan rritje, posta me 9,9 përqind, komunikacioni me 6,4 përqind, industria me 5,6 përqind, bujqësia po ashtu 5,6 përqind, ndërsa shërbimet e tjera dhe tregtia një rritje prej 5,1 përqind. Sektori i ndërtimit, i cili deri ne vitin 2008 ishte një ndër zërat më me peshë në prodhimin e Brendshëm bruto, vazhdon të dëshmojë se është më i godituri dhe nuk po arrin të japë shenja gjallërimi. Madje duket se situata vecse përkeqësohet. Ai regjistroi një rritje negative duke rënë me 18,4 përqind, në tremujorin e dytë. Negativ edhe ritmi i rritjes së sektorit të Transportit me minus 7 përqind.

Të dhënat e Institutit të statistikave konfirmojnë parashikimet jo fort optimiste të Bankës së Shqipërisë sipas së cilës ekonomia do të vazhdojë të ketë rritje pozitive, por në nivele të ulta. Qeveria kishte parashikuar fillimisht se rritja në 2012 do të ishte 4,3 përqind, por pas gjashtëmujorit te pare, u detyrua ta rishikonte parashikimin e saj duke e ulur në 3 përqind. Krahasuar me vlerësimet e institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare, shifra e qeverisë mbetet tejet optimiste. Javën e shkuar misioni I Fondit monetar për Shqipërinë u shpreh se parashikonte një rritje prej 0,5 përqind. Sipas Fmn “vazhdimi i krizës ne eurozonë dhe paqëndrueshmëria po provokon goditje të tjera që po i transmetohen edhe Shqipërisë dhe rritja ekonomike po ngadalësohet. Kjo i dedikohet së pari lidhjes së ngushtë tregtare me Italinë e Greqinë dy nga vendet më të prekura nga kriza”, shpjegoi Fondi Monetar. Pak ditë më pas Banka Botërore nga ana e saj u shpreh se parashikonte një rritje ekonomike mes 0,5 dhe 1 përqindshit për vitin 2012.

Sipas Bankës se Shqipëri ekonomia shqiptare po vuan nga rënia e konsumit dhe investimeve private si dhe nga mungesa e politikave fiskale stimuluese. Rënia e ndjeshme e të ardhurave ka detyruar qeverinë që të ule shpenzimet duke prekur vecanërisht edhe investimet. Autoritetet po shpresojnë shumë te të ardhurat nga privatizimet. Vetëm nga shitja e Albpetrolit qeveria ka marrë një ofertë prej 850 milion eurosh, të cilat do t’i jepnin një frymemarrje më të lirshme ekonomisë dhe do të mund të përdoreshin për të nxitur rritjen e saj.

XS
SM
MD
LG