Lidhje

Shqipëri, vazhdon debati për votimin mbi imunitetet


Kryeministri i bëri sot sërish thirrje kryetarit socialist: “Për imunitetin më ka shkruar dhe komisioneri Fyle”. Socialistët përgjigjen: Jemi dakort. Problem Drejtësia e gjunjëzuar nga Berisha”

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha i kërkoi sot kryetarit të opozitës Edi Rama të mos bllokojë integrimin europian të vendit dhe mundësinë e marrjes së statusit kandidat, por të votjë për heqjen e imuniteteve. Ai deklaroi se cështja e imuniteteve i është shtruar si kërkesë edhe nga komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle. Nga ana e tyre socialistët, u përgjigjën duke këmbëngulur që heqja apo kufizimi i imuniteteve të votohet së bashku me propozimet e tyre për disa ndryshime të tjera në kushtetutë që lidhen me sistemin e Drejtësisë.

Afrimi i datës 6 gusht, e përcaktuar si dita kur në parlament do të duhet të votohet për cështjen e imunitetit, ka intensifikuar polemikat mes palëve. Thuajse cdo ditë kjo cështje është pjesë e deklaratave politike. Edhe sot në mbledhjen e qeverisë kryeministri i bëri edhe një herë tjetër thirrje kryetarit socialist që të votojnë javën e ardhshme: "Unë prapë e ftoj të lemë mënjanë retorikat dhe t’i bëjmë një shërbim të madh vendit".



Zoti Berisha përmendi edhe një letër që ai ka marrë nga komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle "në të cilën shprehet i gjithë vlerësimi për progresin e bërë nga bashkëpunimi, por kërkon që ky bashkëpunim, të kompletojë reformën e imunitetit para së gjithash”. Sipas kryeministrit, opozita po gabon nëse mendon që në këtë mënyrë mund të dëmtojë qeverinë apo të bllokojë statusin e vendit kandidat.

Por nga socialistët erdhi menjëherë përgjigja në të cilën konfirmohet i njëjti qëndrim, sipas të cilit opozita nuk ka asnjë problem për imunitetin por kërkon të diskutohen njëkohësisht edhe propozimet e saj për disa ndryshime të tjera që lidhen me sistemin e Drejtësisë dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve të institucioneve të saj: "Sot debati është një tjetër: A jemi dakord me drejtësinë e gjunjëzuar nën pushtetin e Saliut, apo duam një drejtësi të pavarur nga çdo pushtet politik?! Këtu ndahemi ne nga ata, dhe për këtë duam të diskutojmë edhe propozimet e tjera përpara se të votojmë".

Socialistët këmbëngulin që të dy cështjet të votohen në shtator. Në këtë situatë, nëse nuk do të ketë ndryshim qëndrimesh, seanca e 6 gushtit rrezikon të dështojë, sepse nëse formulimi i ri për imunitetet do të hidhet në votë e do të rrëzohej, atëherë kjo cështje nuk do të mund të ritrajtohej më në 12 muajt e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG