Lidhje

Shqipëri: Z. Artan Hoxha kandidatura e re për president

  • Armand Mero

Artan Hoxha

Artan Hoxha

Në Shqipëri parlamenti pritet të votojë sot për kandidaturën e zotit Artan Hoxha si president i ri i vendit, i propozuar nga shumica e djathtë në pushtet. Këtë e njoftoi kryeministri Sali Berisha në përfundim të bisedimeve të gjata me kryetarin socialist Rama, të cilat u mbyllën në mbrëmje vonë pa asnjë marrëveshje. Opozita refuzoi katër kandidatura të paraqitura nga shumica të cilat sic u shpreh zoti Rama Rama ishin “emra të dalë nga oborri i pushtetit” dhe për të cilët “opozita nuk mund të japë konsensusin”.

Deri dy ditë më parë ai ishte i ftuar në disa panele televizive për të komentuar procesin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ndërsa nga sot, zoti Artan Hoxha, sipas të gjitha gjasave do të jetë vetë njeriu që do të ulet në postin më të lartë të shtetit. Emri i tij u bë publik mbrëmë nga kryeministri Sali Berisha në përfundim të tryezës së dytë të bisedimeve me kryetarin socialist Edi Rama.

“Mazhoranca vendosi që nesër të paraqesë për votim në Parlament një personalitet të shquar të shoqërisë civile dhe publicistikës shqiptare, drejtuesin e Institutit të Studimeve Bashkohore, institut ky që është dhe hartuesi i të gjitha ligjeve të reformave ekonomike, veçanërisht ekonomike gjatë së paku 12 viteve të fundit”, tha kryeministri.

Në takimin ku ishin të pranishëm edhe dy aleatët e zoti Berisha, kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta dhe ai i partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi, shumica paraqiti krahas emrit të zotit Hoxha dhe tre kandidatura mes të cilëve ministri i saj i Mbrotjes Arben Imami, ai i Brendshëm Bujar Nishani si dhe këshilltari ekonomik i kryeministrit, zoti Petraq Milo.

Kandidatura të cilat sipas kryetarit socialist Edi Rama ishin “emra të dalë nga oborri i pushtetit” dhe për të cilët opozita nuk mund të jepte konsensusin, tha ai. “Zhvillimi i tryezës ishte i tillë që e bëri, praktikisht, të pamundur shtjellimin e mëtejshëm të një momenti dialogu dhe bashkërendimi të energjive dhe të forcave për të arritur në një zgjidhje konsensuale. Qeveria erdhi me një ofertë të kufizuar brenda oborrit të saj, e cila ishte një ofertë, që praktikisht ia bënte të pamundur opozitës mbështetjen me votë të cilësdo prej kandidaturave të ofruara".

Sipas kryetarit socialist, ky zhvillim rrezikon të ketë një ndikim negativ në procesin e integrimit të vendit: “Është fati i Shqipërisë evropiane që sot është fatkeqësisht goditur me moskonsensus dhe unë jam i pari që shpresoj dhe i lutem zotit që të jem gabim. Por kam frikë se nuk gaboj kur them se me një zgjedhje të njëanshme të presidentit të Republikës, qeveria ka zgjedhur mes vullnetit të kufizuar për të qëndruar brenda oborrit të influencave të saj dhe konsensusit për të përcaktuar fatin evropian të Shqipërisë në 18 tetor”.

Por për kryeministrin Sali Berisha shumica ka bërë zgjedhjen e duhur:“Jam i bindur se Shqipëria dhe shqiptarët do të përfaqësohen me dinjitet nga kreu i ardhshëm i shtetit të tyre”.

Sipas zotit Berisha shumica kishte bërë të gjitha përpjekjet për konsensus: “Unë mendoj se vendi dhe kryetari i opozitës e ka të qartë se këtu po zbatohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila 5 vjet më parë nuk bënte të mundur zgjedhjet siç e bën sot në dy raundet e fundit. A bëmë ne përpjekje te ndershme dhe të sinqerta për një kandidat?! Ata që kishin thënë se Zaganjori është një noter i Berishës duhet ti kërkojnë të falur atij, sepse besoj se faktoi se ai ishte një gjykatës i pavarur dhe që mori vendimet e tij në mënyrën më të pavarur. Pra ne faktuam se dolëm mbi interesat e ngushta partiake”.

Edhe kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta u shpreh se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë rrezikohet vetëm nga konfliktualiteti politik: “Statusi nuk mund të rrezikohet për shkak të emrit, absolutisht. Aq më tepër ju siguroj për shkak të emrit të zotit Artan Hoxha. Nuk përbën asnjë rrezik për statusin, përkundrazi, përbën një mundësi me profilin e tij, me njohuritë e tij, me dijenitë e tij. Statusi është penguar dhe mund të pengohet nga fryma konfliktuale e politikës shqiptare”.

Sot pritet vetëm zyrtarizimi i kandidaturës së zotit Hoxha dhe votimi më pas në parlament, i cili duket se do të jetë një formalitet pasi shumica i ka të gjitha numrat për të votuar e vetme, pavarësisht kundërshtimit të opozitës.


Zoti Hoxha, 48 vjec, ka një angazhim të hershëm politik dhe publik. Në vitin 1992-1993 ai ka qenë ministër i Tregtisë në qeverinë e kryeministrit Aleksandër Meksi. Më vonë ai nuk u përfshi më në administratën publike por që nga viti 1997 ka qenë drejtues i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, institut që ka dhënë ndihmesë të gjatë në përpilimin e shumë reformave dhe hartimin e shumë ligjeve të rëndësishme gjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë bashkëpunimin edhe me qeveritë socialsite. Së fundmi zoti Hoxha, u bë një figurë e njohur publike edhe për shkak të angazhimit në publicistikë apo dhe si opinionist për ngjarjet dhe zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, me qëndrime në mbështetje kryesisht ndaj së djathtës në pushtet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG