Lidhje

Pa sukses konferenca e krerëve të grupeve parlamentare


Të martën e shkuar, kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha vuri si kusht të patjetërsueshëm të opozitës për pjesmarrjen në komisionin e reformës territoriale garantimin e parimit të konsensusit dhe të drejtën e vetos së opozitës në këtë komision. Dje kryeministri Edi Rama pranoi publikisht se shumica është e interesuar për përfshirjen e opozitës dhe se asaj do t’i njihet e drejta e vetos, numri i barabartë i përfaqësuesve të saj me ata të shumicës në komision si dhe bashkëkryesimi i tij. Kjo përgjigje e zotit Rama u pa si një mundësi e mirë që palët të shkonin drejt një zgjidhjeje të përbashkët.

Por pasdite vonë, konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare u mbyll pa sukses. Përfaqësuesit e opozitës kishin deklaruar se nuk kishin garanci për respektimin e konsensusit, dhe se për këtë kërkonin shenja të qarta nga qeveria, e cila sipas saj duhet të tërhiqet nga verifikimi i veprimtarisë së Inspektoriatit të verifikimit të pasurive, te tërheqet nga ndryshimet ligjore të propozuara për autoritetin e mediava audiovizive si dhe nga akti normativ i nëpunësit civil. Këto argumenta të paraqitura gjatë mbledhjes u përsëritën më pas nga kryetari Basha në një deklarim për gazetarët: “Ka vetëm një parim që nuk mund ti iket; konsensus dhe rivendosje konsensusit. Është në dorën e maxhorancës dhe nuk ka qenë kurrë më e thjeshtë. Të jap konsensus gjithëpërfshirës, të jap konsensus për të gjithë vendimmarrjen në këtë reformë dhe të sigurojë njëkohësisht që këtë konsensus nuk do ta përdhosë siç përdhosi konsensuset dhe vendimmarrjet e mëparshme. Duke ndaluar sulmet ndaj institucioneve të pavarura e duke zhbërë efektet e paligjshme të prishjes së konsensusit të 30 majit. Më shqip se kaq, nuk bëhet”.

Ky qëndrim duket si një kthesë e fortë pas nga deklarata e dy ditëve më parë ku nuk përmendeshin kushtet e tanishme. Madje realizimi i reformës territoriale duhej të shfrytëzohej nga qeveria si një mundësi për rikthimin e besimit mes palëve.

Kryetari i grupit parlamentar të partisë socialiste Gramoz Ruci, tha se opozita paraqiti vetëm argumenta politik: “Këtë çështje ne e kemi diskutuar edhe një javë më parë. Opozita kërkon kohë. Ne ia dhamë kohën deri sot. Përsëri për shkaqe politike nuk pranon. Nuk kanë asnjë kundërshti për asnjë nga pikat e projekt-vendimit. Opozita të jetë e pranishme, ne jemi të gatshëm të përdorim të gjithë mjetet demokratike parlamentare që opozita të jetë pjesë e këtij vendimi, pa u tërhequr nga domosdoshmëria e këtij procesi”.

Edhe kryetari i parlamentit Ilir Meta theksoi se parlamenti do të ushtrojë përgjegjësitë e veta në cdo rast: “Ne nuk do të humbasin durimin dhe vendosmërinë për të kërkuar konsensusin dhe për të kërkuar reflektimin e opozitës për të ecur në këtë drejtim. Unë do të inkurajoj të gjithë aktorët ndërkohë të vazhdojnë punën e tyre për të kontribuuar në këtë proces pasi pa asnjë diskutim Kuvendi në çdo rast do të marrë përgjegjësitë e tij dhe duhet fituar e gjithë koha që na duhet për ta përfunduar këtë reformë pikërisht sipas afateve kushtetuese dhe të kodit zgjedhor”.

Tani mbetet te shihet se c’drejtim do të marrin zhvillimet për këtë cështje, e cila nuk mund të shtyhet pafundësisht për shkak të kohës jo të bollshme në dispozicion, nëse kërkohet, që në zgjedhjet e ardhshme vendore, të shkohet sipas formulës së re të ndarjes territorialo administrative.
XS
SM
MD
LG