Lidhje

Shqipëria dhe Kosova, bashkëpunimi mes dy vendeve


Shqipëria dhe Kosova, bashkëpunimi mes dy vendeve
Shqipëria dhe Kosova, bashkëpunimi mes dy vendeve

Një grup studiuesish të diplomacisë, politikës dhe ekonomisë nga Shqipëria dhe Kosova zhvilluan sot në Tiranë një tryezë të rrumbullakët mbi të ardhmen e afërt bashkëpunuese midis dy vendeve. Takimi u organizua prej Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe Klubit për Politikë të Jashtme për të trajtuar tema që lidhen me politikat e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë, dhe sfida të tjera ekonomike dhe sociale midis tyre.

Analisti Veton Surroi, përfaqësues i Klubit për Politikë të Jashtme thotë se mbetet një sfidë mënyra se si të racionalizohet politika kosovare ndaj Shqipërisë dhe anasjelltas. Ai thotë se të dy palët duhet të fokusohen në interesat e përbashkëta që janë integrimi europian dhe integrimi kombëtar. Sfida është se si të bashkohen në një të vetme këto dy vija integruese.

“Elitat politike dhe intelektuale janë larg intensitetit, i cili tashmë është bërë realitet. Pavarësia e Kosovës e ka nxjerrë si sfidë që Kosova të ketë një politikë të jashtme ndaj Shqipërisë, të cilën nuk e ka ende. Rruga Durrës - Kukës - Morinë ka krijuar një realitet të ri gjeopolitik dhe ekonomik. Për këtë duhet dhënë një përgjigje. Pra, kërkohet një mobilizim për të racionalizuar dhe për të projektuar natyrën e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë në dekadat e ardhshme” - tha zoti Surroi.

Drejtuesi i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Albert Rakipi, thotë se interesat afatshkurtra politike në Tiranë dhe në Prishtinë nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin afatgjatë. Sipas tij, këta studiues me idetë e tyre po nxitin institucionet vendimmarrëse në Shqipëri dhe në Kosovë që të hartojnë strategji të përbashkëta në politikë, në ekonomi dhe në fushën sociale; qëllimi, pra, është që hapat të hidhen në mënyrë më të koordinuar se deri tani.

“Është e vërtetë dhe e pranojmë që tre vjet pas pavarësisë së Kosovës nuk ka ndonjë substancë të madhe në marrëdhëniet midis dy vendeve. Nuk ka asnjë problem dhe nuk ka pse të ketë sepse janë dy shtete që i përkasin të njëjtit komb. Mbetet për ta parë se si këto dy shtete që i përpkasin një kombi do të akomodohen në marrëdhënie dypalëshe. Ka çështje strategjike për t’u diskutuar; cila është e ardhmja midis dy shteteve në kontekst ndërkombëtar, që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Europian, si edhe në kontekstet rajonale, në raport me vendet e tjera ballkanike, dhe me Serbinë, sigurisht” - tha zoti Rakipi.

Studiuesi tjetër, Zef Preçi, i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike po monitoron prej disa vjetësh shkëmbimet ekonomike e tregtare Shqipëri - Kosovë. Thelbi i gjithë debateve, sipas tij, është shtimi i shkëmbimeve ndërshqiptare; për tregti më të madhe dhe për investime të ndërsjellta.

“Këto shkëmbime tregtare kanë reflektuar vënien apo heqjen e barrierave administrative si edhe zhvillimet në tregjet rajonale. Tregjet kanë rrugën e tyre dhe nëse politika nuk orientohet si duhet për të shfrytëzuar rrethanat dhe për t’i bërë të qëndrueshme këto tendenca, atëherë nuk do të arrihet qëllimi. Debati po fokusohet në rrugët e heqjes së barrierave tregtare, tarifore apo administrative, me synimin që të ketë një lëvizje të lirë të kulturave, kapitaleve, mallrave dhe të ideve. Përvoja tregon se ekzistojnë potenciale të mëdha në të dy anët e kufirit” - tha zoti Preçi.

Analistët në këtë tryezë të rrumbullakët vlerësuan se autostrada e re Durrës - Kukës ka sjellë një realitet të ri gjeopolitik dhe një shtytje të re për bashkëpunim më të madh. Por kjo rrugë nuk është e mjaftueshme për të afruar ekonomikisht dy vendet. Që rruga të bëhet e dobishme, thonë ata, duhet që zyrtarët të heqin barriera dhe të krijojnë lehtësi të tjera administrative për klimën e biznesit në të dy anët e kufirit.

XS
SM
MD
LG