Lidhje

Shtohet numri i vizitorëve të huaj në zonën e Uashingtonit


Shtohet numri i vizitorëve të huaj në zonën e Uashingtonit
Shtohet numri i vizitorëve të huaj në zonën e Uashingtonit

Zyrtarë të turizmin në kryeqytetin amerikan, Uashington, thonë se ngadalësimi ekonomik po i detyron shumë amerikanë të pakësojnë ose të anulojnë planet për pushime tradicionale. Por ata thonë se në këtë qytet të bukur plot muzeume, parqe, pika të tjera turistike e natyrisht edhe qendra e qeverisë federale amerikane, numri i turistëve është shtuar.

Turistët nga vende të ndryshme të botës janë arsyeja e shtimit të turizmit në Uashington, duke balancuar kështu rënien e numrit të turistëve amerikanë, që vijnë këtu. Elliott Ferguson është president i korporatës zyrtare për turizmin e kryeqytetit, Destinacioni Uashington DC.

"Numri i vizitorëve që vijnë në zonën e Uashingtonit nga pjesë të tjera të Amerikës ka pësuar një rënie prej 5 për qind, por vizitorët e huaj na bëjnë që të jemi optimistë për turizmin".

Zoti Ferguson thotë se, deri në qershor, përqindja e rezervimeve në hotelet e Uashingtonit ishte e njëjtë me vitin e kaluar, rreth 76 për qind. Por statistikat më të fundit për vizitorët tregojnë se 1.4 milionë turistë të huaj erdhën në Uashington vitin e kaluar, 9 për qind më shumë se një vit më parë, duke e bërë kryeqytetin një prej destinacioneve kryesore për turistët e huaj. Raquel Soares është nga Brazili.

"Brazilianët duan të vijnë në Uashington sepse vlerësojnë monumentet dhe muzeumet e këtij qyteti të njohur në të gjithë botën. Gjithashtu, kërkesat për viza janë më të pakta dhe kjo e bën më të lehtë për brazilianët të vijnë në Shtetet e Bashkuara".

Matt Gaffney është president i firmës së marketimit të turizmit, Rajoni i Kreyqytetit USA. Ai thotë se numri i vizitorëve nga Brazili është rritur me 29 për qind.

"Vite më parë brazilianët shkonin më shumë në Evropë. Ata e shikojnë tani Amerikën si një destinacion më të mirë turizmi dhe po vijnë në Uashington po aq sa shkojnë edhe në Evropë".

Turistë të tjerë që vijnë më shumë në Uashington janë nga Britania, Gjermania, Australia, Kina dhe Franca. Wen Yang është nga Kina dhe bashkë me familjen po kalon pushimet në Uashington.

"Ky është një vend i madh dhe duke vizituar selinë e Kongresit amerikan unë mësova se si është krijuar ky vend dhe ku e ka origjinën".

Zyrtarët e turizmit thonë se shtimi i numrit të vizitorëve të huaj në zonën e Uashingtonit balancon numrin në rënie të turistëve amerikanë, të cilët, si pasojë e ngadalësimit ekonomik, po udhëtojnë më pak. Analistët thonë se turistët e huaj, të cilët qëndrojnë në hotel mesatarisht 7 netë, shpenzojnë më shumë se sa vizitorët amerikanë. Përveç ushqimit dhe hotelit, turistët e huaj shpenzojnë mesatarisht 2 mijë dollarë të tjerë.

"Tregu i turistëve ndërkombëtarë vazhdon të rritet me shpejtësi. Ky është një segment i vogël i turizmit, por shumë i rëndësishëm, duke u nisur thjesht nga ana ekonomike. Turistët e huaj kanë prirjen të shpenzojnë më shumë, ata qëndrojnë më gjatë dhe monedha e tyre tani është më e fortë se sa dollari".

Kjo video është pjesë e përpjekjeve të korporatës Destinacioni Uashington DC, për të tërhequr më shumë vizitorë të huaj, duke reklamuar pikat kryesore turistike të Uashingtonit, përfshirë shumë monumente, muzeume falas dhe ngjarje të tilla si festivali i përvitshëm Cherry Blossom dhe ai Folklorik.

Matt Gaffney i firmës së marketimit të turizmit, Rajoni i Kryeqytetit USA, thotë zyrtarët e turizmit kanë krijuar faqe eletronike për të tërhequr vizitorë të huaj në Uashington.

"Brenda dy orësh nga Uashingtoni mund të shkosh në zonën malore Blue Ridge, ose të provosh disa prej verërave të Virxhinias ose Marylandit dhe pak më tej mund të shkosh në plazhet e bukura të Oqeanit Atlantik".

Zyrtarët e turizmit në Uashington thonë se parashikojnë që turizmi këtë vit të vazhdojë të jetë në nivelet e vitit të kaluar, ndërsa kryeqytetin e Amerikës e vizitojnë më shumë turistë të huaj.

XS
SM
MD
LG